Në një intervistë në medie, pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare Shqipëri-Itali në Romë, Rama u shpreh se ende nuk dihet nëse drejtësia do të arrijë të japë një zhvillim të vërtetë, duke iu referuar rihapjes së dosjes nga SPAK.
“21 janari është barra më e madhe e mosarritjes së drejtësisë që të tregojë se vërtet është e aftë dhe e gatshme të ngrihet në një lartësi tjetër dhe të merret me gjëra të mëdha, me krime të mëdha, faje të mëdha, që vendosin standarde dhe vendosin gur të mëdhenj në këtë rrugë”, deklaroi Rama i pyetur lidhur me thirrjen e kryetarit të PD-së për t’u pyetur nga SPAK për këtë ngjarje.
Kryeministri shtoi se shpreson që kjo të jetë një fazë e re dhe finale e procesit, dhe jo thjesht një episod spektakli përballë SPAK-ut.
“21 Janari është një test që ka vite që ekziston. Të vrarët rrotullohen në varr çdo vit, ndërkohë që ne mbi tokë ulim kokën, të turpëruar se nuk kemi më çfarë të themi, ndërsa krimi është i qartë dhe përgjegjësit për ato vrasje bëjnë moral nga mëngjesi deri në darkë”, u shpreh Rama.
14 vite më parë, më 21 janari 2011, gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.

