Ballkone panoramike për të promovuar turizmin dhe mbrojtur natyrën në Parkun Kombëtar të Shebenikut

Në zemër të një prej pasurive më të mëdha natyrore të Shqipërisë ,Parkut Kombëtar të Shebenikut janë ndërtuar së fundmi dy ballkone panoramike në një nga pikat më të bukura të tij, Qafë Shapkë, në lartësinë 1,442 metra mbi nivelin e detit. Këto struktura jo vetëm që ofrojnë pamje mbresëlënëse të peizazheve të parkut, por shërbejnë edhe si simbol i ndërthurjes mes turizmit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së biodiversitetit.

Ky investim është realizuar nga World Vision Albania në bashkëpunim me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Elbasan (AdZM), me mbështetjen e Prespa Ohrid Nature Trust (PONT), në kuadër të projektit rajonal “Ndërtimi i përgjigjes nga komuniteti për mbrojtjen e biodiversitetit në Parkun Korab-Koritnik dhe Parkun Kombëtar të Shebenikut.”

Një thesar natyror i pazbuluar

Parku Kombëtar i Shebenikut, i shpallur zonë e mbrojtur në vitin 2008, shtrihet në lindje të Shqipërisë dhe është pjesë e rrjetit ndërkufitar të zonave të mbrojtura me Maqedoninë e Veriut. Me mbi 1,460 lloje bimësh dhe një faunë të pasur që përfshin rreqebullin e Ballkanit, ariun, kaprollin, dhinë e egër, baldosen dhe derrin e egër, ky park përfaqëson një pasuri natyrore të rrallë në Ballkan.Megjithatë, si shumë zona të mbrojtura në Shqipëri, Shebeniku përballet me sfida të shumta – që nga zjarret, prerjet e paligjshme, gjuetia e ndaluar, deri te mungesa e infrastrukturës për vizitorët. Ballkonet panoramike synojnë të ndryshojnë këtë realitet duke orientuar turizmin drejt një modeli të qëndrueshëm.

Për natyrën, për komunitetin, për të ardhmen

Ballkonet janë ndërtuar në pikën më panoramike të parkut Qafë Shapkë dhe ofrojnë jo vetëm një përvojë të paharrueshme për vizitorët, por edhe funksione të rëndësishme për menaxhimin e parkut. Ato shërbejnë si pika vëzhgimi për identifikimin e zjarreve, monitorimin e aktiviteteve të paligjshme, dhe orientimin e turistëve drejt shtegut të sigurt të markuar.“Këto struktura janë një shembull i qartë se si promovimi i turizmit të qëndrueshëm mund të shkojë paralelisht me ruajtjen e biodiversitetit,” – tha Mirjam de Koning, Drejtoreshë Ekzekutive e PONT, gjatë vizitës në terren.Përveç ndërtimit të ballkoneve, është realizuar edhe markimi dhe pastrimi i një shtegu prej 920 metrash, që lidh dy pikat kryesore panoramike. Ky itinerar ofron një eksperiencë unike, ku natyra ndërthuret me historinë përmes bunkerëve dhe tuneleve të Luftës së Ftohtë, duke e kthyer udhëtimin në një udhëtim në kohë për turistët.

Zëri i partnerëve në terren

Në ceremoninë e hapjes së strukturave, përfaqësues të organizatave implementuese dhe partnerëve lokalë theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional.“Përmes këtij projekti, po fuqizojmë komunitetin dhe institucionet për të mbrojtur natyrën dhe biodiversitetin, por edhe po i japim të rinjve dhe banorëve mundësi të reja zhvillimi përmes turizmit të qëndrueshëm,” deklaroi Eljona Elmazi, Drejtoreshë Ekzekutive e World Vision Albania.“Këto ballkone ndihmojnë administratën për të orientuar turistët drejt një destinacioni të sigurt dhe shërbejnë si pika vrojtimi për situatat emergjente si zjarret,” shtoi Fatmir Brazhda, drejtues i ADZM Elbasan.

Një model suksesi për partneritetin lokal

Ky projekt përfaqëson një model të suksesshëm të bashkëpunimit midis organizatave ndërkombëtare, institucioneve vendore dhe komuniteteve lokale, duke krijuar një mekanizëm funksional për gjenerimin e të ardhurave në përputhje me mbrojtjen e ekosistemeve. Ndërhyrjet kanë qenë të bazuara në nevoja reale dhe të menduara për të pasur një ndikim afatgjatë.

Më shumë se ballkone, një vizion për zhvillim të qëndrueshëm

Dy ballkonet e reja nuk janë thjesht platforma prej druri të vendosura mbi një kodër. Ato janë simbol i një qasjeje të re ndaj zhvillimit të turizmit dhe mbrojtjes së natyrës. Janë një ftesë për reflektim, për soditje të qetë, për lidhje me rrënjët dhe me tokën, por mbi të gjitha për veprim të ndërgjegjshëm.Shebeniku nuk është vetëm një destinacion ,është një thesar natyror, ekologjik, kulturor dhe historik, i cili duhet vizituar, mbrojtur dhe promovuar me përkushtim dhe respekt.Shebeniku ju fton ta mbrojmë, ta vizitojmë dhe ta promovojmë.

albaniaexpress.al

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

AF Elbasani gati për sfidën e madhe në “Air Albania” ,verdheblutë përballë Dinamo City

Të shtunën në mbrëmje, “Air Albania” do të jetë...

Rauf Dimraj shpirti sportiv që fluturon mbi kujtimet dhe ëndrrat

-Dritarja ku frymëzimi takon veprën Nga BUJAR QESJA Mjeshtër i Madh Një...

Erion Braçe dhe sfida ndaj politikës së mbyllur

  E kam njohur Erion Braçen kur ishte shumë i...