Nga Artin Halili
Pogradeci mbrëmjen e kaluar u kthye në skenën e një premiere të madhe kinematografike. Filmi “Dhe vdekja le të presë”, me regji të Edmond Topit, u shfaq për herë të parë para publikut pogradecar, pikërisht aty ku edhe u xhirua.

Salla u mbush me artdashës, qytetarë, aktorë e personalitete, në një pritje masive dhe tepër emocionuese, jo vetëm për peshën artistike të filmit, por edhe për faktin se shumë prej banorëve të qytetit ishin pjesë e xhirimeve, duke e bërë këtë premierë edhe më personale për publikun.

Regjisori Edmond Topi, aktorja e mirënjohur Zyliha Miloti dhe Ema Andrea, u shprehën të prekur nga pritja e jashtëzakonshme e publikut. Sipas tyre, filmi mbart mesazhe të forta dhe duhet parë domosdoshmërisht, sidomos nga brezi i ri.

Moment prekës i mbrëmjes ishte edhe mungesa e dy ikonave të skenës shqiptare, Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa, të cilat ishin pjesë e kastit, me znj. Xhepa që u nda nga jeta pak kohë më parë.

“Dhe vdekja le të presë” bashkon një kast të jashtëzakonshëm aktorësh shqiptarë si: Reshat Arbana, Zyliha Miloti, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Mehdi Malkaj, Ema Andrea e shumë të tjerë. Me premierën e mbrëmshme, Pogradeci jo vetëm mirëpriti një film, por përjetoi një ngjarje që do të mbetet gjatë në memorien kulturore të qytetit.




