Klubi Shumësportësh Elbasani ka arritur vendin e parë në Kampionatin Kombëtar të Krosit për të rinj dhe të rritur, në garën ekipore për djem.
Skuadra e Elbasanit mori pjesë në garën 6 km për djem, me katër atletë, ku për klasifikimin ekipor llogariteshin tre më të mirët. Me rezultatet e tyre, ekipi u rendit në vendin e parë, duke fituar medaljet dhe kupën e kampionit kombëtar.

Klubi Shumësportësh Elbasani ka një histori të gjatë në vrapimet e mesme dhe të gjata, dhe vetëm gjatë pesë viteve të fundit ka fituar tre tituj kampionë kombëtarë – një me ekipin e të rinjve dhe dy me ekipin e të rriturve.
Trajneri i ekipit, z. Hamit Demiri, vlerësoi përkushtimin e atletëve dhe punën e tyre gjatë stërvitjeve, duke theksuar rëndësinë e disiplinës dhe bashkëpunimit në arritjen e rezultateve.

Me këtë fitore, Elbasani ruan një prezencë të fortë në atletikën shqiptare dhe vazhdon të zhvillojë sportistë konkurrues në nivel kombëtar.


