Policia e Shtetit: Tetor 2025, mbi 110 operacione policore dhe qindra të arrestuar për vepra të ndryshme penale

Gjatë muajit tetor 2025, strukturat e Policisë së Shtetit kanë zhvilluar punë të pandërprerë në terren dhe hetime të thelluara, me synimin për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në të gjithë vendin. Gjatë kësaj periudhe janë finalizuar 110 operacione policore, prej të cilave 24 në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke mundësuar lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim.

Si rezultat i këtyre operacioneve, 572 shtetas të dyshuar për vepra penale të ndryshme janë vënë në pranga. Po ashtu, janë goditur disa grupe kriminale të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore, veçanërisht për shfrytëzim seksual, duke përfshirë një grup që trafikonte femra nga Amerika Latine dhe Azia Qendrore.

Lufta kundër narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje

Forcat e rendit kanë asgjësuar 10 300 bimë narkotike dhe kanë sekuestruar rreth 201 kg kanabis, 2 kg kokainë, si dhe sasi të tjera lëndësh narkotike. Në kuadër të operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje, Policia ka sekuestruar 57 armë zjarri, mes tyre edhe snajper, silenciatorë, granata dhe pajisje për shpërthim në distancë.

Në disa operacione të realizuara në Tiranë, Durrës, Krujë dhe Mirditë, janë zbuluar ambiente të përshtatura për kultivim dhe përpunim të kanabisit, si dhe baza armësh që dyshohet se përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale.

Goditje në fushën e krimit ekonomik

Strukturat e specializuara kanë zbatuar disa operacione kundër evazionit fiskal, kontrabandës dhe mashtrimit financiar. Është sekuestruar një spital privat në kryeqytet, një klinikë dentare dhe një subjekt “call center” që mashtronte qytetarë në bursa fiktive, me vlerë dëmi prej qindra mijëra eurosh. Në Lezhë janë konfiskuar 20 pasuri të paluajtshme me sipërfaqe totale mbi 98 mijë m², të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Kontrolle në rrugë dhe kufi

Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet, duke arrestuar 204 drejtues mjetesh, pezulluar 283 leje drejtimi dhe vendosur 14 018 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë. Ndërkohë, Policia Kufitare ka evidentuar 51 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit dhe ka goditur tentativat për lëvizje me dokumente të falsifikuara, trafik mallrash dhe drogë.

Gjithashtu, Policia ka dhënë ndihmë emergjente në det dhe zona malore për 15 turistë dhe vizitorë të huaj që rrezikoheshin.

Policia e Shtetit rithekson se bashkëpunimi me qytetarët mbetet kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë. Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin 112 ose pranë komisariateve të Policisë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME