Nga Vladimir Mema
Egnatia i është afruar me qetësi dhe përqendrim sfidës së parë ndaj Olimpija Ljubljanës në turin e tretë të Conference League. Edlir Tetova nuk ka ndërmend të bëjë eksperimente apo të ndryshojë diçka në themel. Trajneri i kampionëve të Shqipërisë ka idetë e qarta dhe ka vendosur të ecë me filozofinë e thjeshtë, por shpeshherë të suksesshme të futbollit: “Formacioni fitues nuk ndryshohet”. Dhe me të drejtë, pasi dy ndeshjet ndaj Dinamo Minsk e kanë bindur se grupi i titullarëve ka krijuar një ekuilibër të fortë, që nuk ka nevojë për lëvizje të panevojshme në këtë moment delikat të sezonit.
DAJSINANI LIDER, MBROJTJA NUK LËVIZ – Në portë, si gjithmonë, do të jetë Mario Dajsinani. Performanca e tij në dy takimet ndaj Dinamos ka qenë ndër faktorët kryesorë të kualifikimit, ndaj vendi i tij është i padiskutueshëm. Në mbrojtje, katërshja standarde pritet të zbresë sërish në fushë: në qendër do të qëndrojnë Eljon Sota dhe Arbenit Xhemajli, një dyshe që ka treguar siguri, komunikim dhe vendosmëri. Në krahët do të operojnë me detyra të qarta edhe Alijev në të majtë dhe Fangaj në të djathtë, dy lojtarë që përveç mbulimit në mbrojtje, japin kontribut të rëndësishëm edhe në ndërtimin e aksioneve nga prapavija.

MESFUSHA, MES DISIPLINËS DHE INICIATIVËS – Në mesfushë, Tetova nuk do të ndryshojë asgjë nga “motori” që ka funksionuar në duelet europiane. Kapiteni Albano Aleksi do të ketë sërish rolin e mesfushorit me prirje mbrojtëse, që shkatërron aksionet e kundërshtarit dhe mbron qendrën e fushës. Përkrah tij, braziliani Fernando do të ketë detyrën që të organizojë lojën nga pas, të ndryshojë ritmin dhe të japë pasimin e parë të saktë drejt repartit të avancuar. Kjo dyshe e ka gjetur gjuhën në fushë dhe garanton një mesfushë me balancë mes kujdesit dhe guximit.

SULMI, FLEKSIBILITET DHE DINAMIZËM – Në fazën ofensive, nuk do të mungojë lojtari më i rrezikshëm i skuadrës, Bakajoko, që do të luajë si pikë referimi në qendër të sulmit. Edhe pse shpesh i rrethuar nga mbrojtësit, ai ka treguar se di të gjejë hapësira dhe të godasë kur i jepet rasti, siç ndodhi në Bjellorusi dy javë më parë. Në mbështetje të tij, në mënyrë fleksibile, do të jenë tre lojtarë të rëndësishëm: Gruda dhe Selmani nga krahët, të gatshëm të ndihmojnë në presion dhe në rikuperim, por edhe të nisin aksione në kundërsulm. Mes tyre, si organizator dhe lidhje mes reparteve, do të vendoset Regi Lushkja, një nga lojtarët më me eksperiencë të Egnatias, që di të zgjedhë momentin e duhur për të ndëshkuar.

