Presidenti Donald Trump u ka bërë thirrje udhëheqësve ushtarakë amerikanë që të rifillojnë testimin e armëve bërthamore, me qëllim që SHBA të mbajë hapin me vendet e tjera si Rusia dhe Kina.
“Për shkak të programeve të testimit nga vendet e tjera, unë i kam udhëzuar Departamentin e Luftës që të fillojë testimin e armëve tona bërthamore në baza të barabarta”, shkroi Trump në rrjetet sociale, pak para takimit me Presidentin kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut.
Në postimin e tij të mbrëmjes së së mërkurës, Trump pranon “fuqinë e jashtëzakonshme shkatërruese” të armëve bërthamore, por shton se “nuk kishte zgjidhje tjetër” përveç përditësimit dhe rinovimit të arsenalit ushtarak amerikan.
Ai nuk dha detaje se si do të zhvilloheshin testet, por theksoi se “procesi do të fillojë menjëherë”.
Ky zhvillim përfaqëson një ndryshim të dukshëm nga politika e mëparshme amerikane. Testi i fundit i armëve bërthamore nga SHBA u krye në vitin 1992, përpara se ish-presidenti George H. W. Bush të shpallte një moratorium, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.



