Agjencia Shëndetësore e OKB-së raporton për një masakër të rëndë në Sudan, ku militantët e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) kanë vrarë qindra pacientë dhe familjarë të tyre në një spital në qytetin Al-Fasher.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se organizata është “e tmerruar dhe thellësisht e tronditur” nga vrasja e raportuar e 460 personave në spitalin Saudit.
Sipas Rrjetit të Mjekëve të Sudanit, luftëtarët e RSF-së kanë ekzekutuar me gjakftohtësi të gjithë personat që gjendeshin brenda spitalit, përfshirë pacientët, shoqëruesit e tyre dhe këdo tjetër të pranishëm.
Organizata e mjekëve akuzon gjithashtu RSF-në për rrëmbimin e gjashtë mjekëve, për lirimin e të cilëve thuhet se janë kërkuar shuma të konsiderueshme parash në dollarë amerikanë.
Qyteti Al-Fasher konsiderohej bastioni i fundit i ushtrisë sudaneze në rajonin e Darfurit. Ai u pushtua nga RSF-ja të dielën, pas një rrethimi 18-mujor, të shoqëruar nga uri masive dhe bombardime të rënda, duke e përshkallëzuar më tej krizën humanitare në vend.



