Balotazh në 18 komuna më 9 nëntor – Prishtina, Prizreni e Gjakova në garë të fortë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar listën përfundimtare të votuesve për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025 në 18 komuna të vendit.

Balotazhi do të zhvillohet në këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Sipas njoftimit të KQZ-së, për këtë raund do të shtypen 1.158.015 fletëvotime, një numër që është rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna. Këto fletëvotime do të përfshijnë të gjitha kategoritë e votimit: vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, personat me nevoja të veçanta, rezervat dhe votimin me postë.

Në zgjedhjet e raundit të parë, të mbajtura më 12 tetor, KQZ kishte certifikuar listën me mbi dy milionë qytetarë me të drejtë vote, prej të cilëve 43,993 votues ishin nga diaspora. Në 20 komuna, kryetarët e rinj dhe asambletë komunale u zgjodhën që në rundin e parë.

Ndërkohë, për raundin e dytë, numri i votuesve ka shënuar një rritje të lehtë, pasi 1.690 qytetarë kanë mbushur moshën 18 vjeç që nga raundi i parë, ndërsa 1.147 persona janë ndarë nga jeta.

Në raundin e parë, pjesëmarrja arriti në 39.58%, ndërsa sipas praktikave të mëparshme, balotazhi shpesh sjell rezultate të papritura, ku fituesit e rundit të parë nuk e sigurojnë gjithmonë fitoren përfundimtare.

Nga komunat me shumicë serbe, vetëm Kllokoti do të shkojë në raund të dytë, ndërsa në nëntë komunat e tjera ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë, e mbështetur nga Beogradi.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME