Volejbollistja braziliane e Dinamos, Nayara Ferreira, është pezulluar përkohësisht nga aktivitetet sportive pas disa ankesave të paraqitura në Federatën Shqiptare të Volejbollit (FSHV) lidhur me gjininë e saj.
Sipas mediave, pas sinjalizimeve nga ekipet rivale, Federata ka kërkuar nga klubi i Dinamos që sportistja 32-vjeçare të kryejë një “test gjinie”.
Ferreira nuk e ka pritur mirë vendimin, por së bashku me klubin ka shprehur gatishmërinë për t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore për të sqaruar situatën. Burime pranë FSHV-së bëjnë me dije se kërkohen teste të thelluara për të verifikuar nëse mund të ketë pasur më parë ndonjë ndryshim gjinie.
Situata ka shkaktuar habi dhe pakënaqësi te sportistja, e cila është shprehur se ndihet e diskriminuar dhe e lënduar nga dyshimet. Aktualisht, as Dinamo dhe as Federata nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë zyrtare, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret pas përfundimit të analizave. Deri atëherë, Nayara Ferreira mbetet e pezulluar nga të gjitha aktivitetet sportive.
Braziliania ka një karrierë të gjatë ndërkombëtare, duke luajtur më parë për klube si BMB/Mackenzie, San Bernardo, Sesi, Pinheiros në Brazil, Gran Canaria në Spanjë, Kravole Pole në Çeki, LP Vampula në Finlandë, Vitoria dhe Kairos në Portugali, si dhe Al Ahly dhe Alula në Arabinë Saudite.
Ky sezon shënon për Ferreira përvojën e saj të parë në Shqipëri, ku përballet me një situatë që nuk e ka hasur në asnjë nga vendet ku ka luajtur më parë.



