Nga Jonuz Hallaçi
Doktor Ylber Vata ka marrë vlerësim maksimal në “Kongresin e Parë Klinik të Kirurgëve Shqiptarë”, që po mbahet në Prishtinë, me pjesëmarrjen e mjekëve kirurgë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, si dhe nga trojet e tjera shqiptare dhe shumë vende të tjera të botës. Doktor Vata është pranuar dhe lauruar me titullin “Anëtar Nderi i Shoqatës së Kirurgëve të Kosovës”, një titull që e mbajnë edhe mjekë të tjerë të shquar me kontribute të vyera në fushën e mjekësisë.
Në sallën e mbushur plot me mjekë të njohur nga trevat shqiptare, por edhe nga vende të largëta si India dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Doktor Vata falënderoi autorët për këtë vlerësim maksimal që i jepej pikërisht në Kosovën e tij të shtrenjtë, për të cilën ka kontribuar me mund e shpirt që në kohën e luftës së Kosovës dhe gjatë krizës së vitit 1999, kur ai shëronte plagët e ushtarëve të UÇK-së dhe të dëbuarve nga lufta.
Duke falënderuar dhe përshëndetur organizatorët dhe të pranishmit, Doktor Vata tha:
“Së pari, këtë vlerësim ua dedikoj prindërve të mi që më rritën me dashurinë për Kosovën dhe profesionin e mjekut. Ia dedikoj bashkëshortes dhe fëmijëve të mi, të cilëve u kam marrë shumë kohë.”
Më tej, ai shtoi se në këtë ditë kujton të gjithë mjekët e spitalit të Kukësit, veçanërisht ish-mjekun dhe njeriun brilant e human Doktor Shaqir Shehu, i ndarë nga jeta.
Gjithashtu, Doktor Ylber Vata ia kushtoi këtë vlerësim edhe qytetit të tij, Kukësit, për sakrificën dhe bujarinë e treguar ndaj vëllezërve kosovarë, duke qenë një qytet që është propozuar edhe për Çmimin “Nobel për Paqe”.
Doktor Ylber Vata është një personalitet i shquar jo vetëm i Kukësit, por edhe në rrafshin kombëtar. Ai është “Qytetar Nderi i Prizrenit” prej dy vitesh dhe një mjek i nderuar në Sanatoriumin e Tiranës.
Humanizmi dhe profesionalizmi i tij e kanë bërë një ndër personalitetet më të spikatura të mjekësisë shqiptare — një burrë dhe mjek me vlera shoqërore, njerëzore e familjare, si dhe një model i drejtimit institucional.