Nga Endi Tufa Top Channel
Ka gola që nuk shënojnë vetëm në portë, por në histori dhe ai gol në Leskovc nuk ishte rastësi, nuk ishte episod sportiv ishte kthimi i një borxhi të vjetër. Një gol i shënuar në tokë armiqësore, pa flamuj tanë, pa tifozë tanë, pa të drejtë të këndojmë as himnin të pa cënuar nga urrejtja e tyre, por me gjithë kombin që frymonte nga pas ekraneve.
Në tribunë heshtje e ngrirë në fushë shpërthim kuqezi. Në sytë e lojtarëve tanë dukej dëshira për përmbysjen e asaj që kishte mbetur në mendjen tone, kishim 11 vite që e prisnim fshinim nga atje.
Dhe vjen goli, festimi i Manajt me shqiponjën në duar, një simbol krenarie në çdo vend të botës, por aty, në Serbi u shndërrua në therje në zemër. Gjyqtari nxjerr karton të verdhë, mediat nxituan me titujt “Provokacia!”, ndërsa në tribuna vazhdonte oshtima e përhershme “Kosova është Serbi” pa asnjë sanksion. Ata u morën me duart e Manajt, me nervat, me gjestin, me “shqiponjën”, ndërsa nuk panë dot golin që u ngriu gjakun dhe I preu shpresat.
Në fund, në dhomat e zhveshjes kishte muzikë, britma, përqafime, lot, festa e një kombi që vërtetë nuk ndodhej në atë stadium, por e mbushi me zhurmën e festimeve një botë të tërë. Në Tiranë brohoritje, në Prishtinë fishekzjarrë dhe më pas kudo shiheshin flamujt kuqezi, dëgjohej çlirimi i këtyre tifozëve që më në fund arritën të vinin dinjitetin në vend, falë këtyre 11 djem[ve kuqezi, 11 heronjve.
Ndërsa vendasit e gjunjëzuar, turpëruar dhe sërish të lënë prapa, nuk pranuan sërish rezultatin, por kërkonin fajtorët për tavanin e dhomës së zhveshjes. Numëronin pllakat e prishura, shpiknin dëmshpërblime, ndërsa injoronin britmat raciste, ofendimet, urrejtjen në kor, këto i dukeshin krejtësisht normale, asgjë që nuk shkonte.
Por realiteti nuk mohohet, Shqipëria hyri në Leskovc në heshtje, doli me kokën lartë dhe me zë të fortë. Hyri pa flamur, doli me krenari, hyri vetëm, por u ndoq nga miliona. Por që të kuptohet sa peshon kjo natë… duhet të kthehemi aty ku gjithçka u la përgjysmë.
Tetori i 2014-s nuk ishte ndeshje futbolli, ishte hyrje në territor armik. Kombëtarja zbret në Beograd jo si ekip sportive mik, por si objekt sigurie. Forca speciale, autokolona të blinduara, hotel i rrethuar si bazë ushtarake. Asnjë civil, asnjë tifoz, asnjë makinë e zakonshme pranë. Heshtje betoni dhe prita armiqësie.
Në stadium, nuk kishte futboll, kishte mllef të organizuar. Flamuri ynë i ndaluar, himni ynë i vërshëllyer me urrejtje. Në tribuna, britma “Kosova është Serbi”, këngë shoviniste, slogane lufte, në ajër më shumë tension se oksigjen.
Dhe si një rrufe, vjen çasti që ndezi gjithçka, një dron me flamur shqiptar fluturon mbi kokat e tyre. Reagimi serb ishte instinktiv, ishte dhunë. Futbollistët tanë sulmohen, lojtarët e tyre kapin flamurin, tifozët zbresin në fushë. Loja nuk ndërpritet gjithçka humbet…mbizotëron terrori.
Ajo natë nuk pati rezultat në fushë, por pati rezultat në memorien kombëtare. U shkelëm, por nuk u përkulëm. U larguam pa humbur, por pa mundësi të fitonim. Aty lindi inati që e priste ditën e kundërpërgjigjes.
Dhe përgjigjja erdhi jo në Beograd, sepse Serbia nuk pati guxim të na presë atje më. Shkuam në Leskovc, si kompromis i frikës së tyre dhe rikthim i dinjitetit tonë. Edhe atje edhe pas një dekade një udhëtim déjà vu, izolim, polici, frikë
Në kujtesën kolektive të shqiptarëve, fjala Serbi nuk është thjesht një destinacion futbolli është një kujtim i djegur, një plagë e hapur, një ndeshje e ndërprerë nën ulërima, flakadanë, dhunë dhe ikje në mes të fushës. Beogradi i 2014-s nuk ishte një humbje sportive, ishte një natë ku kombëtarja u trajtua si armik dhe jo si mysafir. Atëherë nuk u luajt futboll, dominoi frika, kërcënimi dhe urrejtja. Dhe sfida mbeti e papërfunduar.
Por koha nuk i zbeh gjurmët dhe 11 vite më vonë, historia vendosi t’u jepte shqiptarëve një mundësi të dytë, jo për hakmarrje, por për përgjigje. Një ftesë e ftohtë për t’u rikthyer, jo në kryeqytet, por në Leskovc, një qytet i mbushur me polici, kordonë sigurie, rrugë të bllokuara dhe autobusë që lëvizin si të ishin trupa ushtarake, jo sportistë.
Pamjet që kemi nuk flasin me fjalë, por me trupin e shtrënguar të policëve, me helmetat që ndjekin çdo lëvizje me frikën që nuk shpallet, por ndihet. Kjo nuk është ndeshje me tifozë, me flamuj, me këngë për ne. Është një duel në tokë armiqësie, atmosfera flet vetë, Serbia pret, por nuk përqafon. Shqipëria hyn, por nuk përkulet.
Në 2014 u shua drita dhe u ndërpre loja, në 2025, drita nuk u fik por tensioni ishte aq i madh sa rëndonte në ajër. Dhe pikërisht aty qëndron madhështia e këtij momenti, shqiptarët nuk kishin ardhur as për të harruar të shkuarën, as për ta përsëritur atë por për ta rishkruar.
Dhe Leskovci, pa e kuptuar ende, do të bëhej skena e një historie që as policia, as kufizimet, as urrejtja nuk mund ta ndalonin.
Ndërsa agimi shpërndante terrin mbi qytetin e Nishit, të gjithë ata që ishin të ftuar në këtë ndeshje të mbushur me tension dhe kujtime, ndiheshin të mbërthyer nga një atmosferë që, për shumë, ishte më shumë se një përballje futbolli. Ishte një përballje identitetesh, një shteg mes të kaluarës dhe të ardhmes, që bënte një ndeshje futbolli të dukej si një sfidë ekzistenciale.
Rreth orës 10:00 të mëngjesit, hoteli ku skuadra e Shqipërisë ishte akomoduar, një ndërtesë e vetme në mes të hapësirës, e thjeshtë, ishte kthyer në një fortifikatë. Në çdo cep të tij, si një nënshkrim i trishtuar, një prani e dukshme e forcave të policisë serbe përmbushte peisazhin. Nuk ishte më një hotel i zakonshëm, ishte një vend që ndante çdo hap të lojtarëve shqiptarë nga shikimi i jashtëm, e që gjithashtu shpërndante një mesazh të qartë, këtu, nuk kishte vend për gabime.
Për ata që mund të kërkonin të largoheshin paksa nga ngarkesa e ditës, Nishit i ofronte një pamje tjetër. Në pedonalen kryesore të qytetit, ngjitës të shumtë ishin të shpërndara kudo, duke treguar hartën e Kosovës, me flamurin e Serbisë që i mbulonte territorin. Në ato momente, kur nuk ishte më thjesht një lojë futbolli, këto ishin mesazhet që duhej të mbanin mend shqiptarët dhe çdo person që kalonte aty.
Për ekipin, nata ende nuk kishte filluar. Një ndjesi ankthi që po shoqëronte secilin hap i skuadrës. Ekipi largohet nga hoteli rreth orës 18:30. Një autokolonë makinerish dhe makinat e policisë që shoqëronin atë lëvizje 45 kilometra për në Leskovc, ku do të luhej ndeshja. Rrugët ishin boshatisura, vetëm sirenat e policisë që shfaqeshin në errësirë krijonin një përshkrim të qartë: ky ishte një udhëtim i mbushur me mbikëqyrje dhe paqartësi. Një vend, ku paqja ishte gjithmonë e paqartë, por edhe më e rëndësishme se kurrë.
Stadiumi në Leskovc nuk ishte më një hapësirë e zakonshme futbolli. Para lojës, tifozët serbë nuk i kursejnë thirrjet. Fyerjet, ofendimet dhe përbuzjet janë një përvojë e zakonshme në këtë ndodhi, e cila ndodhi pas çdo minutë që kalonte, por që tejkalonte çdo kufi të arsyes.
Kur Shqipëria doli në fushë për të nxehur, çdo hap ishte i mbushur me tension. Vershëllimat e tifozëve serbë i përcillnin lëvizjet e lojtarëve, një tension që vinte si një shtrëngim i fytyrës dhe zemrës. Madje, nuk munguan as kërcënimet e drejtpërdrejta, ku përfaqësuesit e policisë serbe e kishin bërë të qartë se asnjë simbol shqiptar nuk duhej të ishte i pranishëm. Por ndryshe nga herët e tjera, forca e lojtarëve shqiptarë nuk ishte thyer. Ata nuk ishin këtu vetëm për të luajtur futboll, por për të shprehur një tjetër mesazh – një mesazh që i thoshte të gjithëve se identiteti shqiptar do të mbijetonte në çdo rrethim dhe përballje.
Kur thirrja e himnit shqiptar shpërtheu në stadium, një ndjesi krenarie u shfaq në sytë e futbollistëve shqiptarë. Edhe pse atmosfera ishte e tensionuar dhe mesazh përmes pankartave e thirrjeve që vinin nga tifozët serbë, ishte një moment që u thellua në emocion.
Ndeshja e filloi me Serbia që mund të dukej si dominuesja e momentit. Ata krijuan disa raste rrezikshëm, që për një çast mund të kishin sjellë golin. Me çdo minutë që kalonte, ishte e qartë se shqiptarët do të duhej të luanin një lojë të kujdesshme, të kontrolluar, pa lejuar asnjë gabim fatal.
Dhe më pas, në një moment të papritur, me minuta që ishin në përfundim të pjesës së parë, një ndodhi që do të mbetej në kujtesën e të gjithëve Rei Manaj, dërgon topin në rrjetë. 1-0 për Shqipërinë. Duket sikur ishte një çast i papërshkrueshëm, jo vetëm për lojtarët shqiptarë, por dhe për tifozët, që e shikonin këtë gol si një fitore të mundur pas një periudhe të gjatë tensioni.
Gjesti i Manaj, që pas golit ngriti duar dhe formoi shqiponjën, ishte më shumë se një shenjë futbolli. Ishte një shpërthim i një simboli të thellë, një akt që në atë moment ishte një goditje për ata që përpiqeshin të ngulnin një histori të ndryshme, një histori që shkruhej me çdo minutë dhe me çdo veprim të atyre që nuk ishin vetëm futbollistë, por luftëtarë të identitetit të tyre.
Në stadium, atmosfera kishte shpërthyer. Pankartat dhe thirrjet “Kosova është Serbi” shoqëronin çdo sekondë të ndeshjes ashtu si edhe Ubi Ubi Shqiptari…
Në një pjesë të stadiumit, një tjetër simbol ishte i pranishëm, një hartë e Kosovës, e mbështjellë me flamurin serb. Tifozët shqiptarë u përgjigjën me forcë, duke mbajtur qetësinë, por gjithashtu duke i bërë të qartë atyre që ishin përballë se gjithçka do të përfundonte me fitoren e tyre.
Pjesa e dytë ishte një betejë e pastër. Shqipëria e mbajti nën kontroll gjithçka, duke sfiduar çdo sulm të Serbisë. Me sa duket, ishte një lojë e mençur, e kujdesshme, ku secili lëvizje ishte i matur. Serbia vazhdonte të sulmonte, por çdo tentativë për të kaluar në gol, shpërthente në duar të forta si ato të portierit shqiptar.
Përfundimi i ndeshjes ishte një shpërthim i emocioneve – Shqipëria kishte mbajtur rezultatin dhe e kishte fituar këtë përballje të rrezikshme, një fitore që kishte një rëndësi më të madhe se një thjeshtë tre pikë futbolli.
Për të mbetur tek sporti tek rezultatet dhe arritjet sportive, kjo aktualja është sikur vjen nga një planet tjetër me të shkuarën. Kjo fitore në transfertë në Serbi, vjen 30 vjet pas fitores sonë të parë në transfertë ndaj Moldavisë 2-3 në vitin 1995. Ish-trajneri I asaj kombëtareje, Neptun Bajko rrëfen se çfarë ishte ai ekip dhe ky sot.
“Të fitosh jashtë pas rreth 30-40 vitesh si arritëm ne në një eveniment si kualifikimet e kampionatit europian për kohën ishte një rezultat i jashtëzakonshëm. Ky rezultat ndikoi në të ardhmen e futbollit tone, unë them gjithmonë që pa të kaluar nuk ka të tashme dhe pa të tashme nuk ka të ardhme. Anët pozitive që ka patur futbolli jonë, dhe këtu nuk flas për nivelin e përgatitjes të lojtarëve tanë në të gjitha aspektet, por flas për dy gjëra që ishin kryesore në ato momente, flas për krenarinë dhe dinjitetin, po më po ne luanim për krenari dhe dinjitet, ato ishin vlerat për një ekip të vogël si Shqipëria që duheshin pasqyruar.
Dhe ekipi përfaqësues dhe këtu dua të bëjë një sqarim të vogël, për të kuptuar se kush ishte përfaqësuesja e Shqipërisë në atë kohë dhe kush është kombëtarja e Shqipërisë në këtë kohë. Ne në atë kohë përfaqësonim Shqipërinë dhe ishte përfaqësuesja me lojtarët të gjithë shqiptarë që ikën u afirmuan jashtë dhe erdhën dhanë kontributin në ekipin përfaqësues. Sot kohët kanë ndryshuar dhe ekipi ynë mund të quhet ekip kombëtarë, kjo është e vërteta më e madhe, ishte përfaqësuesja e Shqipërisë me djem që u rritën në kampionatin tone dhe zgjodhën një rrugë për të pasqyruar vlerat e tyre dhe vlerat nga vendit prej nga vinin. Kjo është një domethënie e madhe që mua më takon ta vë në dukje”, tha Neptun Bajko ish trajner i Kombëtares.
Po këtë sukses sërish në transfertë por që mbart më tepër se një sukses histori si e ka parë Bajko.
“Ndeshja më pëlqeu në përgjithësi në të gjitha aspektet, por ajo që më bëri më tepër përshtypje ishte se ekipi hyri me besim shumë të madh tek forcat e tyre, tek niveli I tyre Teknik dhe taktik, tek zbatimi I detyrave tepër korrekte. Faktori kryesorë plus të tjera ishte loja në bllok, kjo I dha ekipit frymë dhe lirshmëri në veprimet e tyre. Fitorja nuk diskutohet që erdhi në një moment shumë vendimtarë dhe do t’I shërbejë ekipit në të ardhmen”, tha Neptun Bajko ish trajner i Kombëtares.
Krenar për këtë ekip, të gjithë shqiptarët janë pas 11 kuqezinjve që zbresin gjithmonë në fushë për të na bërë krenarë, por për një sy më teknik dhe më analitik dhe profesionist ndaj një ekipi futbolli ka ende vend për përmirësim.
“Sot është krejt ndryshe, nuk mund të flitet për krahasim me futbollin e asaj kohe, por mund të flitet për diçka që kemi patur edhe atëherë lojtarë të jashtëzakonshëm, të një Shqipëria të vogël që luanin kundër Gjermanisë, Portugalisë apo Hollandës e të tjerë, me dinjitet dhe krenari të jashtëzakonshme, kaq na mjaftonte ne atëherë. Sot mund të duket sisi si e kaluar nga koha, Akoma dinjitet Akoma krenari??? Po mër po Akoma dinjitet Akoma krenari dhe Akoma më shumë shpirt luftarak”,tha Neptun Bajko ish trajner i Kombëtares.
Pakashumë atë që treguam edhe në ndeshjen ndaj Serbisë?
“U tregua në momente të veëçanta, mos harrojmë se edhe Serbia nga forca e moralit të ekipit tone u shndërruar në ekip të zakonshëm”, tha Neptun Bajko ish trajner i Kombëtares.
E megjithatë, sot për sot ne jemi në vendin e dytë në grup të këtyre eliminatoreve të botërorit, kuqezinjtë u kthyen në orët e para të mëngjesit në Tiranë ku qindra tifozë nga festa në qendër kishin mbërritur në aeroport thjeshtë për t’i përshëndetur e ti trasmetuar atë nuk mundën ta bënin për 90 minuta në Leskovc, sepse nuk ju lejua edhe përse të gjithë e dinin, nga lojtarët, stafi dhe kushdo ishte I pranishëm, që sytë dhe zemrat dhe e miliona shqiptarëve ishin atje për të shijuar atë dëshirë të përbashkët që këta djem ja bënë dhuratë kombit jo thjesht Shqipërisë.