Kërcënoi prokurorin në seancë gjyqësore, reagon avokati Daci pas arrestimit të avokatit Barjami: Akt i paprecedentë, avokatia shqiptare duhet të reagojë me unitet dhe vendosmëri

Avokati Jordan Daci ka reaguar pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami, i cili kërcënoi prokurorin në seancë gjyqësore. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Daci ka thënë se arrestimi i avokatit është një rrezik për lirinë, të drejtat themelore të njeriut dhe dhënien e drejtësisë në vend.

Sipas Dacit ky nuk është vetem një rast individual, por një përçarje mes akuzës dhe mbrojtjes. Daci ka thënë se avokatia shqiptare duhet të reagojë me unitet dhe vendosmëri. Ai ka shtuar se të gjithë avokatët, pa përjashtim, duhet të bëhen pjesë e një bojkoti të përgjithshëm, pa afat deri në rivendosjen e drejtësisë dhe lirimit të menjëhershëm të kolegut të tyre. Në fund ai ka deklaruar se mbrojtja e avokatisë është mbrojtje e shtetit të së drejtës, e lirisë dhe e drejtësisë për të gjithë.

Reagimi i Jordan Dacit

Arrestimi i Avokatit Bajrami përbën kulmin e çmendurisë së një sistemi që po refuzon në mënyrë të hapur mbrojtjen e profesionit të avokatit dhe po shndërrohet në një rrezik real për lirinë, të drejtat themelore të njeriut dhe vetë dhënien e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë.

Ky akt i paprecedentë nuk është thjesht një rast individual, por një sinjal i qartë i shkatërrimit të ekuilibrit ndërmjet akuzës dhe mbrojtjes, i cili është thelbësor për ekzistencën e një sistemi gjyqësor të drejtë, siç e kërkon neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe neni 42 i Kushtetutës së Shqipërisë.

Çdo fjalë është e tepërt: kjo është pikërisht ajo që ne, si profesionistë të ligjit, kemi paralajmëruar prej kohësh — një drejtësi e deformuar që, para se të miratohet i ashtuquajturi “projekt-Kodi Penal fashist”, po demonstron qartë tendencën autoritare dhe represive ndaj avokatisë dhe lirisë së mbrojtjes.

Në këto kushte, avokatia shqiptare duhet të reagojë me unitet dhe vendosmëri. Të gjithë avokatët, pa përjashtim, duhet të bëhen pjesë e një bojkoti të përgjithshëm dhe pa afat deri në rivendosjen e drejtësisë dhe lirimit të menjëhershëm të kolegut tonë. Bojkoti duhet të përfshijë çdo seancë gjyqësore, madje ndoshta duhet menduar për të bojkotuar edhe ato për masat e sigurimit, për t’u treguar institucioneve se drejtësi pa avokatë nuk ka dhe nuk mund të ketë.

Duhet kujtuar se çdo gjyqtar, prokuror apo zyrtar publik, në momentin kur bie ndesh me ligjin, do të ketë po ashtu nevojë për një avokat. Mbrojtja e avokatisë është mbrojtje e shtetit të së drejtës, e lirisë dhe e drejtësisë për të gjithë

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME