Libraria Adrion, e hapur që prej vitit 1999 në Pallatin e Kulturës në Tiranë ishte libraria e parë në të gjithë vendin me fokus titujt në gjuhë të huaja, duke forcuar më tej rolin pionier të saj në zhvillimin e peizazhit letrar të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo librari, e cila frekuentohet nga mijëra lexues shqiptarë, por edhe vizitorë të huaj, ku gjejnë tituj librash edhe në gjuhë të huaja, si dhe suveniret më interesante mbi Shqipërinë.
“Videokartolinë joshëse drejt një oazi pasurie të çmuar, mu në sheshin Skënderbej”, shkruan Rama.
Fillimisht Adrion u themelua në vitin 1994 në Tiranë fillimisht si një kompani shpërndarjeje e specializuar në shtypin dhe librat ndërkombëtarë. Në vitin 1999, kompania pati arritjen më të suksesshme duke hapur librarinë e saj të parë dhe më të madhe në Pallatin e Kulturës në qendrën historike të kryeqytetit, në Tiranë.
Me kalimin e viteve Adrion ka evoluar në një qendër kulturore moderne, duke zgjeruar së fundmi shtrirjen e saj me një platformë të re e-commerce. Kjo platformë ofron një eksperiencë blerjeje të thjeshtë dhe efikase, duke ruajtur me krenari statusin e saj si libraria më e madhe në Shqipëri me një katalog të gjerë me mbi 32,000 produkte, duke përfshirë më shumë se 13,000 tituj librash në gjuhë të huaja si anglisht, italisht, gjermanisht dhe frëngjisht, si dhe mbi 13.000 tituj në shqip.
Përveç librave platforma përmban edhe mbi 6,000 produkte si dhurata dhe aksesorë librash, duke plotësuar edhe më tej eksperiencën e blerjes. Ky përkushtim i vazhdueshëm për sjellë oferta të ndryshme për produkte letrare dhe kulturore përforcon ndikimin e Adrionit si një shtyllë qendrore e skenës letrare dhe kulturore të Shqipërisë.
Për më tepër, Libraria Adrion angazhohet në mënyrë aktive me komunitetin letrar vendas duke organizuar një sërë aktivitetesh të lidhura me librin. Këto evente të mbajtura pranë librarisë në qendrën e Tiranës përfshijnë promovime librash, biseda dhe takime me autorë vendas dhe ndërkombëtarë, duke nxitur një mjedis inkurajues për dialogun dhe vlerësimin ndaj letërsisë. Për më tepër, Libraria Adrion zgjeron ndikimin e saj letrar me një prani të gjatë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës prej mbi 17 vjetësh.
Ky vend strategjik siguron që udhëtarët dhe vizitorët të kenë akses në një përzgjedhje të kuruar librash dhe produktesh kulturore, duke shfaqur angazhimin e Adrion për ta bërë literaturën të aksesueshme për audienca të ndryshme, si në nivel lokal ashtu edhe në atë ndërkombëtar.