Nga Mentor Kikia
Nga viti në vit, turizmi shqiptar është bërë temë diskutimi kombëtar jo për suksesin e tij të qëndrueshëm, por për disbalancën e thellë mes çmimit dhe cilësisë, mes propagandës dhe realitetit. Në vend që të përqendrohemi në ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm turistik, i gjithë sistemi është zhytur në një eufori të rreme, të nxitur nga reklamat agresive të qeverisë dhe pasqyrimet mediatike të një Shqipërie që ekziston vetëm në rrjetet sociale.

Nga Pogradeci tek Qeparo, dy realitete të ndryshme
Një fundjavë në Pogradec mjafton për të kuptuar se kur ka arësyeshmëri çmimesh dhe minimumi kushtesh dinjitoze, turizmi mund të jetë i kënaqshëm për të gjithë. Një dhomë duplex për një familje me 40 euro në një ambient të pastër, çadra për 4 euro ose falas nëse shtron peshqirin vetë, restorante me mundësi për çdo buxhet ,ky është turizmi i shëndetshëm, i vërtetë dhe i qasshëm.Në krahun tjetër, në Jug ,në vende si Qeparo apo Ksamil ,kemi një realitet që për nga absurdi i çmimeve dhe mungesa e shërbimeve, është larg çdo standardi turistik. 150 euro për një dhomë me pluhur përreth, 60 euro për një dhomë 3×3 pa mëngjes, 8-10 euro një sufllaqe, 5 euro parkingu, 15 euro çadra në një infrastrukturë që nuk përballon as volumin e makinave, as fluksin e plehrave, e lëre më të pushuesve.

Çfarë e justifikon këtë rritje të çmendur çmimesh?
Asgjë. As shërbimi, as cilësia e hoteleve, as përvoja e përgjithshme nuk e justifikojnë arrogancën çmimore që ka kapluar sidomos Jugun. As mosha e shtëpisë, as vendndodhja dhe as fakti që kemi det nuk mjaftojnë për të kërkuar shifra që nuk i gjen as në destinacione si Antalia, Greqia apo Kroacia ku për më pak para merr shumë më tepër në kthim.Në vend të një turizmi që zhvillohet në përputhje me resurset dhe kapacitetet, kemi ndërtuar një turizëm të mbivlerësuar nga vetë ne, që për shkak të një vale të reklamave boshe nëpër portale ndërkombëtare, ka bindur pronarët e apartamenteve se janë gati për të pritur miliarderë.Ndërkohë, pushuesit që për vite kanë mbajtur gjallë turizmin vendas ,si qytetarët nga Kosova ,përçmohen dhe etiketohen si “sufllaqexhinj”, vetëm sepse refuzojnë të paguajnë 10 euro për një pjatë makarona me dy karkaleca të thatë.

Qeveria, reklamë, por jo politikë
Reklamat e qeverisë kanë bërë punën e tyre. I kanë mbushur mediat me tituj të bujshëm si “Perla e Mesdheut”, “Maldivet Shqiptare”, “Sekreti më i ruajtur i Europës”. Por turizmi nuk mbahet me tituj gazetash dhe as me videoklipe propagandistike në rrjete sociale. Turizmi kërkon politikë të qëndrueshme, planifikim afatgjatë, menaxhim, rregulla të qarta loje, dhe mbi të gjitha ndërgjegje kolektive për atë që ofrojmë dhe si e ofrojmë.Qeveria nuk mund të sillet si një agjenci marketingu që reklamon një produkt që nuk ekziston. Ka një Ministri të Turizmit, e cila nuk është krijuar për të bërë “reel”-a dhe “story”-ra në Instagram, por për të hartuar politika konkrete për zhvillimin e turizmit,mbështetje për sipërmarrjet serioze, orientim për çmimet, përmirësim të infrastrukturës, edukim të punonjësve në shërbim, dhe garantim të standardeve bazë në çdo qendër pushimi.Në mungesë të këtyre politikave, euforia e rreme zgjat pak. Dhe kjo tashmë po ndodh.Njësoj siç ndodhi me Korçën, që nga një sukses i kohës së pandemisë u katandis në një destinacion të braktisur për shkak të çmimeve të fryra dhe shërbimit që nuk i përballonte ato pritshmëri.

Tani është radha e Jugut
Këtë vit, shumë destinacione bregdetare po përjetojnë rënien më të ndjeshme të vizitorëve në dekadën e fundit. Një pjesë e madhe e pushuesve kosovarë është zhvendosur në Mal të Zi, Ulqin, Turqi, apo edhe më në veri të Shqipërisë. Ndërsa “Maldivet” e Ksamilit po mbesin me shezlongje bosh dhe parkingje me vend të lirë.

Çfarë duhet të ndodhë tani?
Turizmi shqiptar është ende në kohë për të reflektuar dhe korrigjuar kursin. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse,operatorët turistikë nuk ulin çmimet dhe nuk e përshtasin ofertën me realitetin.Pronat nuk i menaxhojnë më me logjikën e fitimit të shpejtë dhe pa investim.Qeveria nuk ndërpret fushatat boshe të reklamave dhe nuk sjell politika të matshme për cilësinë dhe menaxhimin e sektorit.Përndryshe, shumë shpejt, ata që sot vendosin çmime të papërballueshme do të jenë vetë ata që do të kërkojnë punë si kamarierë jashtë vendit. Sepse turizmi është i pamëshirshëm me ata që e keqpërdorin.Vizitorët nuk kthehen më dhe fjalët e mira nuk blihen dot me asnjë video në TikTok.Koha për të treguar përgjegjësi, për të ndërtuar realisht dhe jo virtualisht. Ulni çmimet. Përmirësoni shërbimin. Mbroni natyrën. Respektoni vizitorin. Dhe mbi të gjitha, kuptoni se propaganda është afatshkurtër, por përvoja e keqe nuk harrohet lehtë.


