Nga Miranda Sadiku
Nëse dikur ishte një cep i qetë, me rrugica me baltë dhe shtëpi të ulëta, sot lagjja “5 Maji” është kthyer në një qytet më vete, ku zhurma e jetës moderne përzihet me kujtimet e një Elbasani të dikurshëm.
Mjafton të kalosh Parkun “Rinia”, portën hyrëse drejt kësaj zone, për të kuptuar se këtu ritmi është ndryshe. Dritat e pallateve të larta pasqyrohen në rrugët e asfaltuara, zërat e fëmijëve dëgjohen nga çdo oborr, ndërsa lokalet dhe dyqanet janë gjithnjë plot me njerëz.
Por pak vite më parë, “5 Maji” nuk kishte këtë pamje. Në vend të trotuareve dhe rrugëve të shtruara, kishte dhera, gropa dhe rrugë me gurë që vështirë kaloheshin në ditët me shi. Shtëpitë e ulëta, njëkatëshe apo përdhese, rrethuar me gardhe të thjeshta, përbënin një peizazh modest, por plot jetë. Ishte ajo lagje e qetë ku të gjithë njiheshin me njëri-tjetrin dhe ku dita niste herët me zërin e fëmijëve që shkonin në shkollë.
Sot, në vend të tyre ngrihen pallate të shumta, me oborre të sistemuara, lulishte e ndriçim modern, që i kanë dhënë lagjes një pamje krejt tjetër – urbane, bashkëkohore dhe dinamike.
“Këtu s’kishim rrugë, as drita, veç shtëpi të ulëta dhe shumë baltë,” kujton znj. Lirie, banore e vjetër që u vendos në “5 Maj” në fillim të viteve ’70. “Atëherë erdhëm nga fshati me burrin, se ai ishte teknik në uzinë. Ishte e vështirë, por njerëzit ishin bashkë, ndihmonin njëri-tjetrin. Tani lagjja s’njihet më, është bërë si qytet!”
Në vitet kur u ndërtua Kombinati Metalurgjik, shumë familje nga zona të ndryshme të vendit u vendosën këtu: inxhinierë, punëtorë, teknikë – njerëz që ndërtuan jo vetëm industrinë, por edhe jetën përreth saj. Ata u bashkuan me elbasanasit autoktonë dhe të ardhurit nga zonat rurale, duke krijuar një bashkëjetesë të qetë, me respekt dhe fqinjësi.
Sot, trashëgimia e asaj kohe ndjehet ende në mënyrën se si njerëzit përshëndeten në rrugë, si ndajnë kujtime për “lagjen e dikurshme”, dhe si e ndiejnë veten pjesë të një historie të përbashkët.
Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, ka pohuar gjithmonë se “5 Maji” do të kthehet në një zonë moderne të qytetit. Investimet e kryera gjatë katër viteve të fundit, që ende vijojnë, janë dëshmi e këtij angazhimi: përmirësim i infrastrukturës, ndriçim, asfaltim i rrugëve, investime në hapësira publike – hapa që e shndërrojnë lagjen në një model urban bashkëkohor.
Në “5 Maji” bashkëjetojnë plot ngjyra: familje të vjetra, të ardhur të rinj, komuniteti rom dhe ai egjiptian, që janë bërë pjesë e pandarë e jetës së përditshme. Me ritmet e tyre, zanatet e vjetra dhe dashurinë për vendin ku jetojnë, ata pasurojnë mozaikun shoqëror të lagjes.
Sot, “5 Maji” ofron gjithçka: shkolla, kopshte, qendër shëndetësore, supermarkete, lokale dhe qendra shërbimesh. Një organizim që e ka bërë lagjen të vetëqëndrueshme, një “qytet brenda qytetit” që nuk ka më nevojë të shkojë larg për asgjë.
Në mbrëmje, kur dritat ndizen, “5 Maji” merr pamjen e një qyteti që jeton me frymën e vet. Nga kodra e Teqes së Madhe, dritat e pallateve shkëlqejnë si yje mbi një Elbasan të ri – është ajo orë kur ndjen se “5 Maji” nuk është më vetëm një lagje, por një qytet brenda qytetit, një Elbasan në miniaturë.