Puna për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar në kryeqytet po ecën me ritme të mira.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga kantieri i Teatrit të Ri Kombëtar, një vepër arkitektonike që sipas tij, “do ta transformojë kryeqytetin në një destinacion europian të artit dhe arkitekturës bashkëkohore”.
Rama informoi se puna në këtë kantier po vijon pa ndërprerje dhe dita-ditës po merr jetë kjo vepër arkitektonike.
I konsideruar si një vepër arti e arkitekturës moderne, Teatri i Ri Kombëtar do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, por edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Evropë.
I projektuar nga arkitekti danez me famë botërore, Bjarke Ingels, Teatri i Ri Kombëtar pritet të jetë një nga ndërtesat më të bukura në rajon.
Teatri i ri do të ketë disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Më konkretisht, do të ketë një hapësirë prej 750 metrash katrorë auditor dhe me mbi 600 vende, me ballkon. Gjithashtu do të ketë një skenë teatri prej 630 metrash katrorë dhe dy salla Black Box prej 200 metrash katrorë secila.
Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metrash katrorë që do të përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katrorë, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër.
Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha lehtësirat për publikun.