Shqipëria, për herë të parë pjesëmarrëse në konferencën botërore të marinave – një hap historik drejt zhvillimit të sektorit detar

Nga Etleva Rrapa

Shqipëria ka shënuar një moment historik në skenën ndërkombëtare të sektorit detar duke marrë pjesë për herë të parë në World Marinas Conference, organizuar nga ICOMIA – Shoqata Ndërkombëtare e Industrisë së Marinës, pas 58 vitesh nga themelimi i saj.

Konferenca u zhvillua në një nga vendet më ikonike të botës detare, në ambientet prestigjioze të Arsenale di Venezia, një simbol i fuqisë detare historike të Republikës së vjetër të Venecias. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë ngjarje të rëndësishme vjen në një moment vendimtar për të ardhmen e industrisë së turizmit detar në vend.

Shqipëria u përfaqësua në këtë forum nga Monika Micheli Panozzo, themeluese dhe drejtoreshë e Balkans Sea Fair, panairi të parë dedikuar industrisë detare në Shqipëri, si dhe nga Cristian Marine, kompani shqiptare e përfaqësuar nga bashkëthemeluesi dhe pronari Gëzim Salillari.

Balkans Sea Fair, një aktivitet i organizuar në Marina di Orikum, ka shërbyer si pikënisje për promovimin e potencialit të Shqipërisë në sektorin e marinave turistike dhe të shërbimeve detare.

Përfaqësuesit shqiptarë morën një vëmendje të veçantë nga organizatorët gjatë koktejit të mirëseardhjes, i cili u mbajt në mjediset mbresëlënëse të Pallatit Dukal të Venecias, duke theksuar rëndësinë e këtij debutimi për Shqipërinë. Organizatorët e konferencës e vlerësuan pjesëmarrjen e vendit tonë si një hap domethënës në integrimin e Shqipërisë në rrjetin global të marinave turistike.

Konferenca botërore e marinave është një platformë ndërkombëtare ku mblidhen profesionistë, investitorë dhe përfaqësues të industrisë detare nga e gjithë bota për të diskutuar risitë, sfidat dhe zhvillimet më të fundit në fushën e marinave – që nga infrastruktura dhe teknologjitë e qëndrueshme e deri tek menaxhimi i porteve turistike.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë event vjen në një kohë kur qeveria shqiptare po fokusohet intensivisht në zhvillimin e sektorit detar dhe në ndërtimin e marinave turistike përgjatë bregdetit shqiptar si pjesë e strategjisë për të rritur turizmin elitar dhe investimet e huaja në këtë fushë.

Kjo prani e parë në një konferencë kaq të rëndësishme pritet të shërbejë si trampolinë për më shumë bashkëpunime ndërkombëtare, për promovimin e bregdetit shqiptar si destinacion detar premium në Mesdhe dhe për forcimin e rolit të Shqipërisë në hartën globale të marinave.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Ekzekutimi i biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan, del sot para gjykatës Nevzat Spaho

  Zhvillimet gjyqësore për vrasjen e biznesmenit Edmond (Mondi) Mëhalla...

Presidenti bullgar kërkon dorëheqjen e qeverisë vendi drejt zgjedhjeve

Presidenti bullgar Rumen Radev ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme...

Evakuohet një qytet në Greqi për shkak të daljes së lumit nga shtrati

Banorët e vendbanimit Yperia në bashkësinë rajonale të Larisës...

Parashikimi i motit për sot, 6 dhjetor 2025

Ditën e shtunë vendi ynë do të jetë në...