Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shënoi një moment historik me debutimin në Festivalin “Respighi Bologna 2025”.
Në skenën madhështore të Teatro Auditorium Manzoni, mbi 70 muzikantë shqiptarë u ngjitën për të interpretuar një program të veçantë nën dirigjimin e maestro Sergio Alapont, me violinistin virtuoz Giuseppe Gibboni, si solist.
“Respighi Bologna 2025” është një ndër festivalet muzikore më prestigjioze të Italisë dhe Evropës.
Programi përfshiu vepra nga Rimsky-Korsakov, Paganini, Respighi dhe Stravinsky, duke sjellë një udhëtim muzikor që mbajti të mbërthyer sallën për më shumë se dy orë.
Në fund të koncertit, spektatorët italianë dhuruan duartrokitje të gjata, duke vlerësuar nivelin e lartë artistik të Orkestrës Simfonike të TKOBAP-së.

