TIRANË,12 maj 2026/Albania Express News/Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë në samitin Shqipëri–Izrael, ku u bashkuan mbi 40 kompani inovative izraelite për të garantuar sigurinë kibernetike dhe për të forcuar ekonominë e Shqipërisë dhe rajonit përmes teknologjisë së fjalës së fundit.
Në fjalën e tij, Rama u ndal te rëndësia e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke e cilësuar Izraelin si një shembull unik të zhvillimit të bazuar në dije dhe jo në burime natyrore.
Ai theksoi se, “Sa më shumë e njoh Izraelin, aq më shumë e kuptoj. Faleminderit që keni ardhur e keni sjellë dijen tuaj në një rrugë të re. Shqipëria doli nga Lufta e Dytë Botërore si i vetmi vend në Europë që numëronte më shumë hebrenj se para se të niste lufta. Kjo falë myslimanëve të Shqipërisë të cilët morën çdo hebre si vëlla ose motër dhe rrezikuan jetën për ta. Kjo është një histori që unë e shtrëngoj fort. Unë e qeveria ime po bëjmë sa më shumë të jetë e mundur që këtë histori ta rrëfejmë, për mënyrën se si duhet të shfaqemi në botën që jetojmë dhe si duhet të përgatitemi në të ardhmen, jo vetëm me hebrenjtë, por edhe të tjerët.”
Rama shtoi se për Shqipërinë është gjithmonë një lajm i mirë kur hebrenjtë vizitojnë vendin tonë, duke falënderuar të gjithë ata që u përfshinë në organizimin e samitit.
Ai vuri në dukje se bashkimi i kaq shumë kompanive izraelite nuk është i lehtë, por është një dëshmi e fuqisë së partneritetit dhe e besimit tek teknologjia e re.
Kryeministri theksoi se digjitalizimi i infrastrukturës është një bekim për vende si Shqipëria, të cilat mund të bëjnë një kërcim përpara përmes teknologjisë, duke arritur gjëra që shpesh vendet më të mëdha e më të zhvilluara i kanë të vështira.
“Izraeli është vendi më i jashtëzakonshëm se ç’dallim mund të bëhet bazuar në dije dhe jo në burime. Ne besojmë fort tek kjo marrëdhënie dhe kemi arsye për këtë, jo vetëm për shkak të historisë sonë, por sepse është një histori e krijuar në kohët më të errëta për popullin hebre. Kur Shqipëria doli nga Lufta e Dytë Botërore si vendi i vetëm në Europë që numëronte më shumë hebrenj se sa para nisjes së luftës. Kjo falë myslimanëve të Shqipërisë që morën çdo hebre si vëlla dhe motër dhe vunë jetën në rrezik për t’i mbrojtur.”
Duke iu referuar sfidave të sigurisë kibernetike, Rama kujtoi rastin e hapjes së dyerve për mijëra iranianë të opozitës, të cilët gjetën strehë në Shqipëri për arsye humanitare.
Ai tha se kjo vendimmarrje solli hakmarrje nga regjimi iranian, i cili sulmoi sistemet e ndërtuara me vite për transformimin e shërbimeve publike.
“Ne iu hapëm dyert, iu dhamë strehë dhe bëmë një marrëveshje që ata mund të jetojnë në Shqipëri, të rrisin fëmijët e tyre jashtë çdo rreziku për aq kohë sa është e nevojshme. Kjo erdhi me hakmarrje nga regjimi iranian, që nuk e duronte dot këtë gjë dhe na sulmoi. Sulmoi atë që kishim ndërtuar pa reshtur për vite të tëra për të transformuar shërbimet tona publike. Izraeli u soll si mik dhe na ofroi ndihmë.Po ashtu miqtë tanë të Emirateve, e kështu i mbijetuam këtij sulmi. Mësuam sidoqoftë se na duhet të investojmë dhe të ndërtojmë një sistem mbrojtjeje. Jemi shumë të lumtur që jeni këtu e të shohim se çfarë mund të bëjmë së bashku! Shijojeni ushqimin tonë, mikpritjen tonë! Mos harroni kurrë se Shqipëria për hebrenjtë mbetet shtëpi! Çfarëdo të mendohet për qevetinë tuaj, ka një gjë të sigurt nuk ka antisemitizëm në Shqipëri dhe hebrenjtë janë gjithmonë të mirëpritur”, përfundoi Rama.

