PD zyrtarizon kandidatin për Bashkinë Cërrik: Mjeku Amarildo Hoxha në garë për zgjedhjet e 9 nëntorit

 

Partia Demokratike, dega Cërrik, ka zyrtarizuar kandidaturën e saj për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen më 9 nëntor. Doktor Amarildo Hoxha do të jetë kandidati që do të përfaqësojë demokratët në garën për postin e kryetarit të Bashkisë Cërrik.

Emri i Hoxhës vjen si përpjekje e PD-së për të rikthyer besimin dhe shpresën në çdo familje të këtij qyteti, ndërsa pritet të zhvillojë një fushatë të fokusuar në çështjet reale të komunitetit. Demokratët shprehen se kandidatura e tij përfaqëson jo vetëm vlerat profesionale, por edhe një angazhim të sinqertë për ndryshim.

Amarildo Hoxha është kandidatura e dytë e zyrtarizuar nga Partia Demokratike për zgjedhjet e 9 nëntorit. Më herët, PD ka shpallur mbështetjen për Florian Binajn, një tjetër kandidat që garon si i pavarur, por që ka marrë përkrahjen e plotë të kësaj force politike dhe të disa prej aleatëve të saj.

Megjithëse ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se PD do të mbështesë kandidatët e pavarur në këto zgjedhje, rasti i Cërrikut përbën një përjashtim të dukshëm, duke çuar në përzgjedhjen e një kandidati zyrtar të partisë.

Në këtë garë, Amarildo Hoxha do të përballet me kandidatin e Partisë Socialiste, Florenc Doka, i cili aktualisht mban detyrën e kryetarit të komanduar të Bashkisë Cërrik.

Fushata në Cërrik pritet të jetë dinamike dhe me interes të lartë për publikun, teksa qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin drejtimin që do të marrë bashkia e tyre për vitet në vijim.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME