TIRANË, 12tetor 2026 /Albania Express News/-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për zhvlerësimin e euros në raport me lekun, duke e cilësuar forcimin e monedhës vendase si një rekord negativ për ekonominë shqiptare.
Berisha iu referua të dhënave që, sipas tij, i atribuohen Eurostat-it për ecurinë e euros kundrejt 40 monedhave kryesore në botë.
“Sot, në historinë e këtij vendi, shënohet rekordi më i zi i kohërave. EUROSTAT shpall se leku shqiptar thyen rekordin botëror në raport me zhvlerësimin prej tij të euros dhe dollarit, por EUROSTAT është marrë me euron.
EUROSTAT ka studiuar raportin e euros me 40 monedhat kryesore të planetit. Çfarë gjen EUROSTAT nga studimi i 40 monedhave të planetit? Gjen se leku është monedha më e fortë në botë në raport me euron. Gjen se euro në Shqipëri është zhvlerësuar më shumë se në çdo vend tjetër 33 përqind.
Gjen se zhvlerësimi i dytë më i madh i euros është 18 përqind dhe ky është Izraeli me ekonomi 10 herë, 15 herë më e fuqishme se e Shqipërisë. Zhvlerësimi i tretë është Zvicra me ekonomi trilion.
Ka një zhvlerësim të lehtë me 6 përqind në Meksikë, tek Sinaloa. Në Serbi me dinarin, 6 përqind. Ka një zhvlerësim euro me dollarin e Singaporit 3 përqind. Kurse me dy monedha të tjera, përveçse dy që mbetet pa ndryshim euro ka fituar terren.
Për shembull unë u them këtu, me sterlinën ka fituar 1 përqind. Me dollarin e Hong Kongut ka fituar 5 përqind. Me koronën norvegjeze ka fituar 17 përqind. Norvegjia vetëm fondin sovran të investimeve e ka 2 triliard euro.
Pra, çfarë kemi këtu? Kemi transformimin përfundimtar të lekut në narkos. Dhe sot e tutje nuk do quhet më lek, por do quhet narkos. Pesë mijë narkos, kjo do jetë monedha e re e Shqipërisë”, tha Berisha.
Ky i fundit foli edhe në lidhje me vendimin e Etikës për përjashtimin me 60 ditë të deputetëve Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
“Sot Edi Rama urdhëroi, pa asnjë bazë ligjore, të përjashtojë kryetarin e grupit të Partisë Demokratike dhe nënkryetarin e komisionit të sigurisë, zotërinjtë Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, dy muaj nga parlamenti.
Armik i egër i parlamentarizmit, i protestës dhe fjalës së lirë, Edi Rama me akte të tilla dëshmon se është një narko-diktator i urryer për shqiptarët.
Dënojmë me forcën më të madhe këtë vendim antiligjor, antikushtetues, kryekëput të pabazë.
Natyrisht, grupi parlamentar do mblidhet të shqyrtojë qëndrimet përkatëse ndaj këtij vendimi”, përfundoi Berisha.

