TIRANË, 6 tetor 2026 /Albania Express News/- Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka vendosur të mos bëjë një rotacion të gjerë në formacion për përballjen ndaj San Marinos, pavarësisht diferencës së dukshme mes dy skuadrave.
Në formacionin titullar janë përfshirë edhe disa prej lojtarëve kryesorë të kuqezinjve, të cilët ndodhen në kuotën e një kartoni të verdhë dhe rrezikojnë të humbasin ndeshjen e radhës ndaj Finlandës, nëse ndëshkohen sërish.
Mes emrave të paralajmëruar janë Berat Gjimshiti, Mario Mitaj/Pilo dhe Kristjan Asllani, të cilët duhet të tregohen të kujdesshëm gjatë sfidës me San Marinon për të mos e vënë veten në rrezik pezullimi.
Rreziku nuk kufizohet vetëm te titullarët. Në stol ndodhen edhe Ylber Ramadani, Arber Mehmeti dhe Myrto Uzuni, të cilët gjithashtu kanë një karton të verdhë të akumuluar. Nëse aktivizohen dhe ndëshkohen sërish, edhe ata mund të mungojnë në përballjen e ardhshme.
Kjo e bën sfidën me San Marinon një ndeshje ku, përtej objektivit të fitores, stafi teknik duhet të menaxhojë me kujdes edhe kartonët.
Për Shqipërinë, ndeshja e radhës ndaj Finlandës pritet të ketë peshë të veçantë në objektivat e saj në grup, ndaj mungesa e ndonjë prej lojtarëve kryesorë për shkak të pezullimit do të ishte një problem për kuqezinjtë.
Maran ka zgjedhur të mbështetet te disa prej titullarëve të tij, por çdo karton i verdhë mund të ketë një kosto për sfidën e nëntorit.


