Policia e Shkodrës ka zbardhur shpërthimin me lëndë eksplozive në katin e parë të një pallati, ku humbi jetën 67-vjeçari Hysni Ymeri.
Pas hetimeve intensive në lidhje me këtë ngjarje policia ka identifikuar dhe vënë në pranga katër shtetas të dyshuar si autorë të ngjarjes: Gerti Bushati, 27 vjeç; Ergys Ibrahimi, 27 vjeç; Edison Hasaj, 25 vjeç; dhe Gjergji Zefi, 24 vjeç.
Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim dhe kundrejt pagesës, kanë shkaktuar shpërthimin me lëndë eksplozive të telekomanduara më datë 29.12.2025, në lagjen “Manush Alimani”,
Gjatë operacionit “SHADOWS” u sekuestruan prova materiale, konkretisht 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptopndërsa hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Njoftimi i policisë
“Zbardhet vrasja me lëndë eksplozive e shtetasit H. Y., e kryer më datë 29.12.2025, në lagjen “Manush Alimani”. Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit H. Y., bazuar në provat e siguruara, u finalizua operacioni policor i koduar “SHADOWS”.
Në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
-G. B., 27 vjeç
-E. I., 27 vjeç
-E. H., 25 vjeç
-Gj. Z., 24 vjeç
Ndalimi i tyre u bë pasi ka dyshime të bazuara dhe të mbështetura në prova se këta shtetas, kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi H. Y.
Gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të vendeve dhe ambienteve, si dhe kontrolleve personale, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provave materiale: 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop.
Vijon puna për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj, si dhe sqarimin e motiveve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;
“Shkatërrimi i pronës me eksploziv”;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim;
dhe “Prishja e qetësisë publike”.

