Vllaznia merr fitoren e parë të sezonit, Murataj vendos ndaj Dinamo City

TIRANË, 11 tetor 2026 /Albania Express News/-Vllaznia ka marrë fitoren e parë të sezonit, duke mposhtur me rezultatin minimal 1-0 Dinamo City.

Në një përballje të luftuar, kuqeblutë gjetën rrugën e rrjetës në pjesën e parë dhe më pas arritën të ruanin avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare.
Heroi i sfidës ishte Edon Murataj, i cili në minutën e 31-të realizoi një gol të bukur nga distanca. Mesfushori lëshoi një goditje të kalibruar, me topin që u përplas në shtyllë përpara se të përfundonte në rrjetë, duke i dhënë avantazhin Vllaznisë.

Përpara golit, shkodranët kishin paralajmëruar rrezikun. Në minutën e 28-të, Murataj shërbeu bukur për Balajn, por tentativa e këtij të fundit përfundoi mbi kuadrat. Pak më herët, një kundërsulm i Vllaznisë nuk u konkretizua, pavarësisht kombinimit mes Qatos dhe Balajt.
Në pjesën e dytë, Vllaznia iu afrua golit të dytë në minutën e 50-të, kur Qato provoi nga distanca, por portieri Teqja arriti të ndalte goditjen. Dinamo City reagoi dhe kërkoi golin e barazimit, me Ruben Silvën që provoi me një kthesë brenda zonës në minutën e 56-të, por topi përfundoi mbi traversë.
Rastin më të rrezikshëm për barazimin, dinamovitët e krijuan në minutën e 69-të. Malomo provoi drejt portës, por tentativa e tij u devijua dhe përfundoi në goditje këndi.
Trajnerët ndërhynë me zëvendësime në pjesën e dytë, ndërsa Dinamo shtoi presionin në minutat e fundit, në kërkim të golit që do t’i jepte një pikë. Megjithatë, mbrojtja e Vllaznisë rezistoi dhe skuadra shkodrane arriti të administronte avantazhin deri në fund.
Kështu, Vllaznia feston fitoren e parë të sezonit, duke marrë tri pikë të rëndësishme ndaj Dinamos, një prej skuadrave që synon të jetë protagoniste në kampionat.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME