Turizmi në qytetin e Beratit nuk njeh stinë. Këtë e vërteton numri i lartë i turistëve edhe gjatë periudhës së vjeshtës, ku rrugët e qytetit 2400-vjeçar po gjallërojnë nga një fluks i lartë i tyre.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje mahnitëse nga stina e vjeshtës në Berat, ku gjethet e para kanë filluar të bien në qytetin e “një mbi një dritareve”.
Në Berat janë bërë shumë investime të reja, të cilat kanë bërë që turizmi ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit të vazhdojë edhe në muajt e vjeshtës.
Këto muaj Berati pret aktivitete të ndryshme si: Festat e Nëntorit, festat e fundvitit, të cilat e kthejnë qytetin në destinacionin e duhur për t’u vizituar.
Në Berat nuk flitet më për sezon turistik, por për një sezon gjithëvjetor të turizmit.
Berati vijon të mbetet ndër qytetet më të preferuara të turistëve. Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.

