Abissnet Superiore ka nisur me një atmosferë të ngrohtë në tribuna, ku tifozët kanë dhënë sinjalin se ky sezon pritet të jetë më i zjarrtë jo vetëm në fushë, por edhe në shkallët e stadiumeve.
Sipas vëzhgimit të bërë nga “Albania Express News”, më katër ndeshjet e para janë mbledhur plot 9.900 tifozë, duke treguar një interes të lartë që në start.
Shkodra mban rekordin e javës së parë. Takimi mes Vllaznisë dhe Egnatias ka tërhequr 5.000 shikues, duke shndërruar “Loro Boriçin” në një det kuqeblu. Ky ishte një sinjal i qartë i besimit që tifozët shkodranë kanë te skuadra e tyre.
Pas saj renditet Elbasani, që në sfidën ndaj Flamurtarit mblodhi 3.000 tifozë, duke treguar tifozët verdheblu nuk e lënë asnjëherë në baltë skuadrën e tyre.
Në kryeqytet, ndeshja mes Partizanit dhe Vorës u ndoq nga 1.200 tifozë, ndërsa dueli mes Bylisit dhe Tiranës regjistroi 700 shikues, duke plotësuar kuadrin e javës së parë.
Kjo nisje tregon se tifozët po i kthehen stadiumit dhe çdo skuadër ka mbështetje të çmuar pas vetes. Megjithatë, sërish numri i të pranishmëve nuk është aty ku pretendohet.
albaniaexpress.al