Tiranë më 13.09.2025
UGSH është njohur me denoncimin e redaksisë së emisionit investigativ “Piranjat”, sipas të cilit, ditën e shtunë pasdite në stadiumin “Selman Stërmasi” ekipi i emisionit u përball me arrogancën dhe kërcënimet verbale të aksionierit kryesor të kompanisë Air Albania, Sinan Idrizi, njëherësh president i klubit “Flamurtari”.
Këmbënguljes së gazetarit për të marrë përgjigje për inkorrektesa të kompanisë në pagesat e sigurimeve shoqërore të punonjësve, zoti Idrizi i përgjigjet me arrogancë dhe një gjuhë të papranueshme. Në këtë komunikim është përfshirë edhe Presidenti i klubit të Tiranës, Refik Halili, i cili ka rrëmbyer me forcë telefonin e gazetarit, duke u bërë pjesë e incidentit.
UGSH, në solidaritet të plotë me gazetarët dhe grupin e emisionit investigativ, dënon këtë incident dhe kërkon nga protagonistët e tij reagim të menjëhershëm.
UGSH u kërkon autoriteteve ligjzbatuese të merren me shqyrtimin e rastit.
Ky rast dhe disa akte paraprake me sjellje agresive, refuzuese dhe kërcënuese ndaj reporterëve këmbëngulës në kërkim të informacionit specifik për çështje sociale, investimesh dhe procedura administrative, flasin për një realitet kritik të mungesës së transparencës publike, shtim të informalitetit dhe arrogancë individësh që zotërojnë biznese VIP në vend.
UGSH inkurajon kolegët gazetarë për intensifikim të kërkesave për informim, për transparencë dhe për informim të parreshtur për problematika sociale dhe çështje që ekspozojnë informalitetin në vend.
Arroganca e disa të pasurve apo biznesmenëve që operojnë me mundësitë publike është e papranueshme. Përballja e tyre me interesimin e gazetarëve për interes publik është detyrim, dhe gazetarët në këtë rast janë në krye të detyrës.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë



