NGA FATMIR POPJA
LIBRAZHD,10 maj 2026/Albania Express News /Jo vetëm në fushë, por edhe në tribuna, Sopoti i Librazhdit tregoi këtë fundjavë se është një skuadër me zemër të madhe dhe me një tifozëri që nuk njeh distancë. Në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, gjatë finales dramatike të “play out” ndaj Luftëtarit, të paktën një mijë tifozë librazhdas krijuan një atmosferë elektrizuese, duke e kthyer impiantin sportiv të qytetit të Vlorës në një arenë emocionesh dhe spektakli.

Të ardhur nga Librazhdi, Tirana, Elbasani, Durrësi, por edhe nga qytete të tjera ku jetojnë e punojnë, tifozët e Sopotit ishin lojtari i 12-të i skuadrës së Rrahman Hallaçit. Me flamuj , banderola , kore të pandalshme dhe fishekzjarre emocionesh, grupimi “ULTRASOPOTI” dhuroi një nga mbështetjet më të bukura që janë parë këtë sezon në futbollin shqiptar.
Edhe në momentet më të vështira të sfidës, kur Sopoti ishte në disavantazh, tribunat nuk pushuan asnjë sekondë së besuari. Thirrjet “Sopoti, Sopoti” jehuan gjatë në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, ndërsa pas barazimit dhe triumfit dramatik me penallti shpërtheu festa e madhe e librazhdasve të cilët pas përfundimit të ndeshjes zbritën në fushë dhe festuan gjatë me futbollistët dhe stafin e ekipit të tyre të zemrës.

Emocione ,lot gëzimi, përqafime, këngë dhe festë pa fund… pasi tifozët zbritën në fushë për të festuar së bashku me futbollistët rikthimin e shumëpritur në Kategorinë e Parë. Mbrëmja e të shtunës ishte një
natë që do të mbetet gjatë në memorien e sportdashësve librazhdas.Festës së tyre ju bashkuan edhe autoritetet e pushtetit vendor të bashkisë së Librazhdit dhe figura të të shquara dhe ish futbollistë të Sopotit në vitet e arta të këtij ekipi . Mes tyre ishte edhe deputeti i Librazhdit Olsi Komici , ish futbollist i këtij ekipi në mesin e viteve ’90 .Deputeti Olsi Komici dhe nën prefekti Josif Laska festuan me “ULTRASOPOTI ” duke përjetuar emocione të jashtëzakonshmë për këtë sukses të arritur nga ekipi i futbollit Sopoti i cili ka një histori me arritje jo të pakta që nga koha e krijimit të tij .
Rikthimi në Kategorinë e Parë i Sopotit përmes një rrugëtimi të vështirë për tifozët librazhdas, do të mbetet një nga ngjarjet më emocionuese të historisë së këtij ekipi, ndërsa ëndrra tashmë vazhdon me synime të reja në Kategorinë e Parë.



