UGSH reagon ndaj vendimit të autoriteteve kufitare greke për shpalljen e gazetarit Artan Hoxha si person i padëshirueshëm

Greqia, në mënyrë absurde, ka shtuar numrin e masave të njëjta ndaj gazetarëve shqiptarë. Kërkojmë reagimin e shtetit shqiptar dhe organizatave ndërkombëtare të lirive themelore.

Tiranë, 24.11.2025

Përmes një dokumenti të firmosur dhe vulosur nga autoritetet e kontrollit kufitar, në pikën e kalimit në Kakavie, gazetarit investigativ Artan Hoxha i është konfirmuar urdhri i shpalljes si person i padëshiruar në Greqi.

Arsyeja e konfirmuar në dy gjuhë, në letrën që i është dhënë gazetarit, është shprehur të jetë se:

“Cënon sigurinë e brendshme të BE-së (ose të një shteti të vetëm të BE-së)”.

Asnjë sqarim tjetër specifik nuk i është komunikuar gazetarit të shpallur si person i padëshirueshëm dhe me rrezikshmëri për shtetin grek. Gazetari Hoxha nuk ka pasur dhe nuk ka qenë asnjëherë në ndjekje penale apo me probleme ligjore në këtë shtet, apo në ndonjë gjykatë të vendeve të BE-së.

Kjo është një masë ekstreme, por që shton numrin e gazetarëve shqiptarë të ndaluar të shkelin në territorin e Republikës së Greqisë. Prej shumë vitesh, një masë e tillë është shpallur për gazetarin e njohur Marin Mema, sikundër njëjtë i është komunikuar urdhëri edhe Enrik Mehmetit.

Ndërkohë që, kohë pas kohe, gazetarë të ndryshëm janë penguar dhe mbajtur në seanca intervistimesh nga punonjës të policisë dhe shërbimeve greke në pikat kufitare dhe ato aeroportuale të shtetit fqinj, pa u dhënë arsye zyrtare të pengimit apo vonesës për kalim kufitar.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë prej vitesh ka ripërsëritur kërkesat për dhënien e arsyes zyrtare ndaj këtyre masave ekstreme ndaj gazetarëve shqiptarë.

UGSH u është drejtuar për solidaritet dhe reagime organizatave ndërkombëtare të gazetarëve, si dhe institucioneve diplomatike.

Është momenti që, për këto raste të shtuara, Ministria jonë për Europën dhe Punët e Jashtme të kërkojë shpjegime dhe të aktivizojë mekanizmat e veta paritarë, duke kërkuar sqarime dhe, mundësisht, të ofrojë mbështetje për proceset e ndjekjes së çështjeve në rrugë ligjore.

UGSH shpreh dyshimin se segmente dhe individë të ekstremizmit politik dhe nacionalist në Greqi ndikojnë mbi struktura të shërbimeve dhe policisë greke për hartimin e listave të gazetarëve shqiptarë, që mbrojnë dhe raportojnë për të vërteta historike të shqiptarëve në Greqi dhe për afera dhe kriminalitet politik të homogjenëve grekë, të shndërruar në shtetas grekë pas viteve ’90.

Aktet e ndalimit dhe të shpalljes së gazetarëve si persona të rrezikshëm dhe të padëshirueshëm nga shtete fqinje si Greqia janë precedentë të rrezikshëm dhe sjellje kundër lirisë së qarkullimit, shprehjes së lirë dhe raportimit mediatik.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Rama: Shqipëria hapi dyert për afganët kur të tjerët i mbyllën

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në Ditën Ndërkombëtare të...

Nuk i kemi mundur kurrë dhe i kemi shënuar vetëm një herë, ja historiku i ndeshjeve të Shqipërisë me Holandën

Nëse Shqipëria do të kualifikohet në Botërorin 2026, atëherë...

Njihuni me shortin e plotë të Botërorit, kush konsiderohet grup “ferri”

Në Washington u hodh shorti i Botërorit, ku u...