Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kabinetit të ri qeveritar të kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi si të mbushur me ministra të lidhur me korrupsionin dhe krimin. Në deklaratën e tij për mediat, Berisha u ndal veçanërisht tek “ministrja virtuale” Diella Rama, duke e quajtur dekretimin e saj nga Presidenti Bajram Begaj një “akt skandaloz dhe turpërues për Kushtetutën”.
Sipas Berishës, “Diella” është krijuar për të shmangur përgjegjësinë e qeverisë në aferat korruptive dhe për të mbuluar vjedhjet që lidhen me koncesionet dhe projektet strategjike. Ai theksoi se pas këtij emri fshihet vetëm “vjedhja e Edi Ramës”, ndërsa shtoi se ky veprim ka diskredituar jo vetëm qeverinë, por edhe institucionin e Presidentit të Republikës.
Berisha rikujtoi disa nga aferat që sipas tij mbajnë firmën e kryeministrit Rama – inceneratorët, Al Alabar, tuneli i Llogarasë dhe projektet energjetike – duke theksuar se me “Diellën” Rama synon të fshijë çdo autorësi. “Diella është anëtarja më e fundit e familjes Rama”, u shpreh ai.