Turistë nga India, Franca e Belgjika popullojnë Borshin në shtator: Mrekulli, kthehemi sërish

Teksa shtatori numëron ditët e fundit të tij, bregdeti i Borshit vijon të jetë i populluar, njësoj si në kulmin e sezonit turistik.

Me një pamje përrallore, Borshi ka një vijë bregdetare prej 7 kilometrash, e kufizuar nga Qeparoi në veri dhe Lukova në jug. Bregdeti i Borshit ofron ujëra kristal të pastra që mirëpresin vizitorë deri në mes të tetorit. Borshi nuk ka vetëm detin, por ofron site historike, shtigje për hicking për të pasionuarit pas natyrës dhe aventurë për ata që duan adrenalinë.

“Turistët nisin të vijnë që prej fundit të prillit dhe kemi deri në mes të tetorit. Veçanërisht, në këtë periudhë të huajt përbëjnë pjesën më të madhe”, tha Artani, një sipërmarrës në fushën e hotelerisë, për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Ai shtoi se çmimet gjatë shtatorit dhe deri në mes të tetorit variojnë nga 30 deri në 150 euro nata, ndërsa në sezonin korrik-gusht arrijnë deri në 250 euro. “Për mua shtatori dhe maji janë si korriku dhe qershori, vetëm me çmime më të reduktuara. Vitet e fundit zona ka njohur një hov të rëndësishëm në turizëm. Kam jetuar 20 vite në Greqi, Athinë dhe u ktheva para 10 vitesh për të investuar në tokën e familjes. Sot kam 8 dhoma”, u shpreh ai.

Sipas tij, kapaciteti i rezervuar i strukturave në prill arrin deri tek 40-50%, majit është rreth 60-70%, në qershor 80-90%, ndërsa në korrik-gusht arrin 100%. “Java e parë e shtatorit ishte pozitive, me 80-90% të zënies, ndërsa më pas varion 50-60%”, tha Artani.

Borshi ofron atraksione edhe përtej bregdetit. “Nuk kemi vetëm detin, edhe pse është pjesa kryesore, por edhe destinacione për hiking, si maja e Plirit apo parku i Pipanit. Po ashtu është dhe Kalaja e Sopotit. Pamja në këto zona është magjike”, theksoi ai.

Sa i përket origjinës së turistëve, Artani tha se profili i vizitorëve ka ndryshuar vitet e fundit. “Borshi është më familjar si zonë turistike, ndryshe nga Dhërmiu apo Palasa. Fillimisht kishim më shumë italianë, por së fundmi janë shtuar gjermanët, belgët, polakët, finlandezët, suedezët, indianët, francezët e spanjollët. Ka rënie të turistëve italianë dhe anglezë, ndoshta për shkak të stilit familjar të turizmit këtu”, tha ai, duke shtuar se turizmin në jug e mban turisti i huaj.

Në strukturën e tij po qëndronte edhe një çift nga India, Chandan dhe Anad, me vajzën e tyre të vogël. “Ne jetojmë në Gjermani dhe në shtator atje moti nis të mos jetë kaq i mirë sa këtu. Në Shqipëri është shumë bukur, po shijojmë detin e pastër dhe plazhin e qetë”, u shpreh Chandan. Çifti tregoi se kishte vizituar Ksamilin, Beratin dhe Gjirokastrën, ndërsa më pas do të vazhdonte drejt Dhërmiut dhe Tiranës.

“Njerëzit këtu janë shumë të sjellshëm dhe çmimet janë shumë të pranueshme. Ushqimi është shumë i mirë dhe i përshtatshëm për të gjitha shijet. I bëj apel të gjithëve të vijnë në Shqipëri, pasi do kënaqen me motin e mirë, plazhin, ushqimin dhe njerëzit e këndshëm”, tha ajo.

Edhe Mario, prej 12 vitesh në Borsh, rrëfen se sezoni zgjat është zgjatur shumë. “Nisim punën në prill dhe e mbyllim nga tetori. Para dhjetë viteve nisnim në qershor dhe iknim në fillim të shtatorit. Tani kemi kryesisht të huaj, ndërsa në fundjavë shtohen dhe shqiptarët”, tha ai.

Një çift belg, që po pushonte në Borsh, u shpreh se ishte hera e dytë që vizitonin Shqipërinë. “Vjet shkuam në Theth, në lumin e Shalës dhe Shëngjin, këtë vit zgjodhëm jugun. Pamë blogje dhe video në internet që na e rekomanduan”, rrëfeu Lynnt.

Dy turiste gjermane pohuan se Shqipëria është një alternativë e mirë për plazh deri në tetor, falë temperaturave të larta. Ndërsa një çift francez kishte zgjedhur të eksploronte rivierën me kajak. “Kjo zonë është e gjitha për t’u eksploruar, me plazhe të fshehura dhe peizazhe të mrekullueshme”, tha Margareth.

Përveç turizmit detar, Borshi ofron edhe histori e kulturë. Në fshat ndodhet “Kalaja e Sopotit” ose “Kalaja e grekut”, e ndërtuar mbi rrënojat e qytetit antik Meandria, që daton që nga lashtësia. E përdorur për qëllime mbrojtjeje deri në shekullin XIX, ajo lidhet edhe me emrin e Ali Pashë Tepelenës. Kalaja ruan ende mure rrethuese, gjurmë banesash dhe një xhami të periudhës osmane, ndërsa ofron pamje mbresëlënëse të Jonit dhe Korfuzit përballë.

Borshi mbetet një destinacion që ndërthur turizmin detar, malor, aventurier dhe kulinar. Me ullinjtë që rrethojnë fshatin, plazhet e qeta dhe autenticitetin e ruajtur, ai renditet ndër perlat e rivierës shqiptare. Sipas “New York Times”, Borshi është përfshirë në listën e 52 destinacioneve më të bukura për t’u vizituar në botë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Kush është Viktor Gjini, ish-agjenti i SHISH dhe ‘koka’ e mafias shqiptare që operonte në Kili

KILI ,19 maj 2026/Albania Express News/Emisionit investigativ Reportajes Teletrec...

Arsenali shpallet kampion i Anglisë, barazimi i Cityt i sjell titullin “Topçinjve” pas 22 vitesh

ANGLI,19 maj 2026/Albania Express News/Arsenali është zyrtarisht kampioni i...

Ndeshja Itali-Greqi në rrezik anulimi, polemika dhe negociata mes federatave: Nuk luajmë me shpresat

ITALI,19 maj 2026/Albania Express News/Viti zero i kombëtares italiane...

Portieri 43-vjeçari hyn në histori, Skocia fton Craig Gordon për Botërorin 2026

SKOCI ,19 maj 2026/Albania Express News/Një histori frymëzuese po...