Trajneri i Shqipërisë Rolando Maran dhe lojtarët shpërthejnë pas ndeshjes: “Turp! Nuk më ka ndodhur në karrierë…”

Shqipëria fiton 2-1 ndaj San Marinos, por paraqitja lë shije të hidhur – Maran dhe kuqezinjtë nuk e fshehin zhgënjimin

 

TIRANË, 06 tetor 2026 /Albania Express News/- Shqipëria mori tri pikët ndaj San Marinos, por fitorja 2-1 në “Air Albania” nuk solli aspak qetësi në kampin kuqezi. Përkundrazi, mënyra se si u menaxhua ndeshja dhe fakti që një kundërshtar dukshëm inferior e vuri në vështirësi Kombëtaren në minutat e fundit, ka shkaktuar zhgënjim të madh te trajneri Rolando Maran dhe futbollistët.

Kuqezinjtë patën mundësi të shumta për ta mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë, por shpërdoruan rastet dhe i dhanë mundësi San Marinos të besonte deri në fund. Shqipëria shënoi dy herë, ndërsa goli i dytë erdhi vetëm në minutën e 93-të, nga pika e bardhë, me Kristjan Asllanin.

Pas përfundimit të takimit, Maran ishte i drejtpërdrejtë në analizën e tij.

Rolando Maran: “Nuk më ka pëlqyer paraqitja e skuadrës, por në fund morëm tri pikët. U vumë në vështirësi, sepse krijuam shumë raste në pjesën e parë dhe nuk i shfrytëzuam. Në pjesën e dytë ulëm ritmin dhe e pësuam. E rëndësishme është që morëm tri pikët përballë tifozëve.”

Edhe kapiteni Berat Gjimshiti nuk e fshehu shqetësimin për mënyrën se si u zhvillua ndeshja, duke pranuar se një situatë e tillë ka qenë e pazakontë në karrierën e tij.

Berat Gjimshiti: “Nga kjo fitore duhet të nxjerrim shumë mësime. Në karrierën time vështirë të kemi pasur një ndeshje të tillë, ku ti pretendon se do fitosh. Në fund nuk u duk fare diferenca jonë me San Marinon. Në ato minutat e fundit, doja që të ikja unë i pari, por rreziku ishte.”

Më i ashpër ishte sulmuesi Mirlind Daku, i cili e cilësoi të papranueshme nënvlerësimin ndaj kundërshtarëve të këtij niveli.

Mirlind Daku: “Kjo është një gjë që duhet ta mësojmë, që nuk duhet të nënvlerësojmë, se të gjithë po luajnë futboll dhe i gjithë ekipi duhet të përqendrohet maksimalisht ndaj këtyre ekipeve. Është turp me këto ekipe.”

Në të njëjtën linjë ishte edhe Elseid Hysaj, i cili e identifikoi problemin kryesor te mungesa e efikasitetit përpara portës.

Elseid Hysaj: “Po besoj që vuan Shqipëria sepse nuk shënon mundësitë e golave që ka. Pjesa e parë duhet të shkonte 3-0, po e lë 1-0. Duhet të mendojmë më mirë kur jemi para që të shënojmë gola. Disa lojtarë mund ta kenë ndjerë lodhjen, por disa lojtarë të San Marinos nuk po na linin mundësi për të marrë topin. Por ka pasur lodhje në skuadër.”

Ndërkohë, heroi i mbrëmjes, Kristjan Asllani, rrëfeu emocionet e penalltisë së minutës së 93-të, që i dha Shqipërisë fitoren.

Kristjan Asllani: “Sot kur shkova te penalltia ishte një déjà vu, se ngjante sigurisht me ndeshjen Lecce-Torino që e kam bërë në minutën e 93-të. Thashë, jam pak i lodhur, nuk i dihet. Po gjuaj në qendër dhe nuk e di… s’kam gjuajtur asnjëherë penallti kështu, kështu që vajta shumë i sigurt.”

Në fund, Shqipëria mori atë që kërkonte: tri pikët dhe vendin e parë në grup. Por mënyra e arritur është një sinjal i fortë alarmi për Kombëtaren dhe stafin teknik.

Fitorja ndaj San Marinos duhet të shërbejë si një leksion për kuqezinjtë: në futboll nuk mjafton diferenca në emra dhe në cilësi. Ndeshjet duhet të fitohen në fushë dhe me përqendrim maksimal deri në vërshëllimën e fundit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

FRANCË – Pas trazirave, kryeministri Lecornu njofton vendosjen e shtetrrethimeve lokale

TIRANË, 19 tetor 2026 /Albania Express News/-Kryeministri francez, Sébastien...

Gonxhja në Balkan Sea Fair: Turizmi dyfishoi të ardhurat në 3 vjet

TIRANË, 19 tetor 2026 /Albania Express News/-Ministri i Turizmit,...