Tragjedia në Alpe, i mbuluar në gjak mes shkëmbinjve, nxirret nga humnera trupi i pajetë i turistit holandez

Një ngjarje tragjike tronditi mbrëmë zonën turistike të Alpeve Shqiptare, ku një turist holandez humbi jetën pasi ra në një humnerë në shtegun malor mes Thethit dhe Valbonës, konkretisht në zonën e Qafës së Valbonës.

Ngjarja ndodhi në orët e vona të ditës së djeshme dhe, sipas raportimeve paraprake, viktima ishte pjesë e një grupi turistësh që po udhëtonin pa guidë të organizuar. Miqtë e tij, gjithashtu turistë të huaj, të tronditur nga ngjarja, njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës.

Sipas policisë, telefonata alarmuese mbërriti rreth orës 19:00, ku u raportua se turisti kishte rrëshqitur nga një shkëmb dhe kishte rënë në një zonë të thepisur të shtegut malor. Nisur nga serioziteti i situatës, menjëherë u mobilizuan forcat e Policisë së Shtetit, ekipet e kërkim-shpëtimit malor, infermierë, si dhe një helikopter u nis nga Tirana për të lehtësuar aksesin në terren dhe për të mundësuar evakuimin e mundshëm të personave të tjerë në rrezik.

Në vendin e ngjarjes, sipas Artur Gunit, President i Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor, mbërritën edhe specialistët e njësive të shpëtimit malor nga Shqipëria dhe Kosova, si pjesë e një bashkëpunimi rajonal për ndërhyrje emergjente në zonat e thella malore. Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë duke dërguar një ekip profesionistësh nga zona e Valbonës, të përbërë nga Kastriot Qehaja, Ermal Hysa dhe Gas Selimaj, të cilëve iu bashkua edhe një përfaqësues i policisë lokale. Po ashtu, në ndihmë u angazhua edhe një grup i specializuar nga Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës.

Operacioni për lokalizimin dhe nxjerrjen e trupit të pajetë u përball me vështirësi ekstreme për shkak të terrenit të thyer dhe rrezikshmërisë së lartë. Pavarësisht orëve të vona dhe kushteve të vështira, ekipet e shpëtimit punuan pa u ndalur gjatë gjithë natës. Vetëm në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas një përpjekjeje të gjatë dhe të rrezikshme, u bë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë nga humnera ku kishte rënë turisti.

Zonat malore të Thethit dhe Valbonës janë ndër më të vizituarat në Shqipëri nga turistët vendas dhe të huaj. Shtegu që lidh këto dy destinacione, ndonëse mbresëlënës për bukurinë natyrore, mbetet sfidues dhe kërkon përgatitje të mirë fizike, orientim të qartë dhe në shumë raste shoqërim me guidë të licencuar. Rasti i fundit rikthen edhe një herë në vëmendje nevojën për masa më të rrepta sigurie dhe ndjekjen e protokolleve të sigurisë në udhëtimet malore.

Gjatë muajve të fundit, ky është rasti i dytë me pasoja tragjike për jetën e turistëve të huaj në Alpet e Shqipërisë. Autoritetet shqiptare kanë nisur hetimet për të zbuluar të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërsa trupi i pajetë i turistit do të transportohet në morgun e spitalit të Shkodrës për procedurat e mëtejshme ligjore dhe identifikimin zyrtar nga autoritetet konsullore holandeze.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME