Tragjedi pranë brigjeve të Mauritanisë, 69 emigrantë humbin jetën

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pranë brigjeve të Mauritanisë, ku të paktën 69 emigrantë humbën jetën pasi anija me të cilën udhëtonin u përmbys në det.

Sipas kreut të rojës bregdetare, Mohamed Abdallah, tragjedia ndodhi të martën në mbrëmje, rreth 80 kilometra në veri të kryeqytetit Nouakchott. Ai shpjegoi se pasagjerët në bord panë dritat e një qyteti bregdetar dhe u grumbulluan në njërën anë të barkës, duke bërë që ajo të humbiste ekuilibrin.

“Kur emigrantët panë dritat e Mheijrat-it, u drejtuan të gjithë nga njëra anë e barkës dhe ajo u përmbys,” tha Abdallah për mediat.

Anija kishte lundruar nga Gambia rreth një javë më parë, duke transportuar rreth 160 persona, shumica nga Gambia dhe Senegali. Fillimisht u raportuan 49 viktima, por më pas bilanci u rrit në 69 pas një verifikimi të ri nga autoritetet. Vetëm 17 persona arritën të shpëtojnë falë ndërhyrjes së rojës bregdetare.

Rrugët vdekjeprurëse drejt Europës

Ky është vetëm një nga dhjetëra incidente tragjike që ndodhin çdo vit përgjatë rrugëve të rrezikshme të emigrantëve afrikanë që përpiqen të arrijnë në Europë. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), gjatë vitit 2024 kanë humbur jetën të paktën 8,938 persona duke kaluar kufijtë.

Shumë emigrantë kalojnë nga Mauritania për të udhëtuar drejt Europës përmes detit, por rrymat e forta detare dhe gjendja e dobët e anijeve e bëjnë këtë rrugëtim tepër të rrezikshëm. Disa të tjerë ndjekin rrugën përmes shkretëtirës Sahara, që mbulon 90% të territorit të Mauritanisë dhe përballojnë temperatura mbi 45°C.

Akuza për abuzime ndaj emigrantëve

Ndërkohë, një raport i publikuar këtë javë nga organizata Human Rights Watch ka ngritur shqetësime serioze mbi trajtimin e emigrantëve në Mauritani. Në raportin prej 142 faqesh denoncohen “përdorimi i forcës së tepruar nga policia, kufizime të dhimbshme dhe mungesë ushqimi e uji” gjatë ndalimeve dhe deportimeve.

Këto praktika, sipas HRW, janë intensifikuar pas një marrëveshjeje 210 milionë euro me Bashkimin Europian, që synon të frenojë emigracionin ilegal që nga viti 2024. Autoritetet mauritane ende nuk kanë reaguar ndaj raportit, i cili ka shkaktuar debat të gjerë si në qarqet qeveritare, ashtu edhe ato humanitare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Operacion blic në Elbasan: Arrestohen eksponentë të njohur të botës së krimit

Një operacion i befasishëm i policisë është zhvilluar gjatë...

Elbasani, qarku i parë në Shqipëri që ndalon përdorimin e monopatinave elektrike – masa të reja për sigurinë rrugore

Përdorimi i monopatinave elektrike tashmë është zyrtarisht i ndaluar...