Gjatë muajit shtator, në Qarkun e Elbasanit janë regjistruar gjithsej tetë vatra zjarri, duke ngritur shqetësime për rritjen e numrit të zjarreve edhe në këtë periudhë të vitit, kur temperaturat janë ulur ndjeshëm krahasuar me muajt e kaluar. Një nga vatrat më të fundit dhe më të mëdha u regjistrua ditën e djeshme pasdite pranë vendit të njohur si “Kryqi i Fikasit”, në Njësinë Administrative Bradashesh, përgjatë rrugës së vjetër të Krrabës që lidh Elbasanin me Tiranën.
Zjarri përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre, ullinj dhe fiq, duke rrezikuar edhe pjesë të tjera të zonës. Fatmirësisht, ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur neutralizimin dhe shuarjen e flakëve pa pasoja të mëdha.
Ndërkohë, më 2 shtator, një tjetër zjarr me pasoja u regjistrua në fshatin Bujqës, në bashkinë Elbasan. Gjashtë vatra të tjera janë shënuar në gjashtë bashkitë e tjera të qarkut, duke reflektuar një përhapje të gjerë të zjarreve në të gjithë territorin. Statistikat tregojnë se gjatë këtij viti, të shtatë bashkitë e Qarkut të Elbasanit kanë shënuar një numër rekord zjarrvëniesh krahasuar me periudhat e mëparshme.
Veçanërisht gjatë muajit gusht, bashkia Gramsh është përballur me zjarre të përmasave apokaliptike, ndërsa edhe disa fshatra në bashkinë Belsh kanë pësuar dëme të mëdha në sipërfaqe me ullishta dhe vreshta. Autoritetet lokale dhe shërbimi zjarrfikës kanë bërë thirrje për rritjen e kujdesit dhe bashkëpunimit nga komuniteti për të parandaluar ngjarje të tilla, ndërsa hetimet për shkaqet e këtyre zjarreve janë në vijim.
Nga zjarret e këtij viti është shkaktuar një viktimë, janë djegur plotësisht dhjetra banesa, janë shkrumbuar dhjetra mijë dru frutorë dhe janë djegur qindra hektarë pyje.