Një ditë pas triumfit të Karlos Alkarazit në Tokio, Janik Siner dha kundërpërgjigjen e tij nga Pekini. Tenisti italian fitoi trofeun ATP 500, duke mposhtur në finale amerikanin Learner Tien me rezultat të qartë: dy sete 6-2 në vetëm 1 orë e 12 minuta lojë. Kjo ishte fitorja e dytë e Sinerit në Pekin, duke shënuar trofeun e 21-të në karrierë dhe të tretin për këtë sezon. Dy vite pas triumfit kundër Danil Medvedev, Siner rikthehet të festojë në ATP 500 të Pekinit, turneu i parë nga dy turnetë kryesorë kinezë.
Pas kalimit të problemeve fizike të javëve të fundit, Siner dominoi të riun amerikan në një finale pa histori. Tashmë ai ka një mundësi të madhe në Shangai, ku mbron titullin. Karlos Alkaraz nuk do të marrë pjesë në këtë turne, çka mund t’i japë italianit shansin për të ulur diferencën në renditjen botërore. Në rast të fitoreve në Masters 1000 të Shangait, diferenca me spanjollin do të ulej në 390 pikë, duke i dhënë mundësinë Sinerit të bëhet numri një vetëm pas turneut të Vjenës.
Pas suksesit, Siner u shpreh: “Pekini është një vend shumë i veçantë për mua. Falenderoj padyshim ekipin tim, të gjithë ata që janë këtu dhe ata që më ndoqën nga shtëpia, italianët që më mbështetën. Tani do të shohim si do të shkojë fundi i sezonit, por jam shumë i kënaqur me këtë rezultat. I uroj të mirën edhe Learnerit, pasi ka luajtur shumë mirë.” Ai foli gjithashtu për kalendarin gjithnjë e më të ngarkuar të turneve: “Turnetë po bëhen gjithnjë e më të gjatë. Masters 1000 zgjasin pothuajse dy javë, kështu që ndonjëherë duhet të zgjedhësh të mos marrësh pjesë në disa evente për të ruajtur trupin dhe mendjen. Vitin e kaluar kam lënë disa turne, dhe e njëjta gjë ka ndodhur këtë vit. Kur je 23 apo 24 vjeç, është sfidë të kuptosh plotësisht trupin dhe të zgjedhësh më të mirën për të ardhmen.”

