Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i është drejtuar me anë të një letre Komunitetit Ndërkombëtar për sulmin e paprecedentë ndaj News24 nga Policia e Shtetit.
Prej mëngjesit të 9 gushtit televizioni më i madh informativ në vend nuk është në transmetim pasi Policia në bashkëpunim me punonjësit e KAYO të drejtuar nga Ardi Veliu fikën pajisjet e transmetimit dhe nxorën gazetarët jashtë. Aktualisht godina e News24 mbahet e rrethuar nga dhjetëra forca policore dhe gazetarët nuk lejohet të hyjnë në ambientet e punës.
AGSH e konsideron këtë veprim një precedent të rrezikshëm ndaj medias dhe lirisë së shprehjes në Shqipëri.
Duke pasur parasysh se Shqipëria është një vend aspirant për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, AGSH thekson se është emergjente të respektohet shteti i së drejtës duke kërkuar “heqjen heqjen e menjëhershme të bllokadës dhe rikthimin e aksesit të plotë të gazetarëve në vendin e punës; Rivendosjen e energjisë elektrike dhe kushteve të plota të punës për redaksitë; Publikimin e menjëhershëm të bazës ligjore dhe autoritetit që ka urdhëruar këtë veprim; Sigurimin që çdo veprim i ardhshëm që prek media të kryhet vetëm në përputhje me procesin e rregullt ligjor, nën mbikëqyrje gjyqësore dhe me parimin e ndërhyrjes minimale“.
“U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare, organizatave të medias dhe përfaqësive diplomatike të monitorojnë nga afër situatën dhe të reagojnë për të garantuar që Shqipëria të mbetet e përkushtuar ndaj standardeve ndërkombëtare të lirisë së shprehjes dhe të medias.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut“, thuhet letrën e AGSH.
Letra
Të nderuar,
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin më të thellë për ngjarjet e ndodhura në orët e para të 9 gushtit 2025, kur forcat e Policisë së Shtetit rrethuan godinën e Focus Media Group në Tiranë, ku operojnë katër media kryesore: News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.
Në emër të Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, dëshirojmë të theksojmë drejtpërdrejt se veprime të tilla cënojnë rëndë lirinë e medias dhe krijojnë frikë e pasiguri për të gjitha mediat në vend në të ardhmen. Ky nuk është rasti i vetëm kur policia ka vepruar në mënyrë arbitrare. Në dekadën e fundit janë mbyllur dy media të tjera — AgonChannel dhe RTV Ora — ku, pavarësisht ekzistencës së një vendimi gjykate, prania e forcave speciale të policisë brenda ambienteve të televizionit u dënua nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar.
Sipas deklaratave zyrtare të vetë grupit mediatik, gjatë operacionit:
U ndërpre energjia elektrike, duke lënë News24 pa sinjal transmetimi;
Gazetarëve dhe stafit iu ndalua hyrja në redaksi;
U pezullua puna e redaksive dhe u ndërpre aksesimi i publikut në përmbajtjet mediatike.
Megjithëse jemi të vetëdijshëm se prona është objekt i një mosmarrëveshjeje midis pronarëve të News24 dhe shtetit shqiptar, ne besojmë se kjo nuk e legjitimon praninë e forcave të policisë dhe ndërprerjen e njëanshme të sinjalit të transmetimit.
Gjithashtu, sipas të gjitha burimeve publike të informacionit, biznese të tjera në pronësi të drejtuesit të grupit mediatik kanë qenë më herët objekt i veprimeve të diskutueshme, përfshirë shembjen me tritol të një kompleksi, të cilën vetë drejtuesit e televizionit e kanë quajtur në atë kohë si një sulm politik.
Ky precedent paraqet një rrezik serioz për lirinë e medias dhe krijon një atmosferë frike tek gazetarët dhe publiku. Ne theksojmë se, pavarësisht qëndrimeve editoriale apo çështjeve të brendshme të çdo mediaje, sulme të tilla ndaj funksionimit normal të redaksive dëmtojnë themelet e demokracisë dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.
Të nderuar kolegë,
Duke pasur parasysh se Shqipëria është një vend aspirant për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, ne besojmë se është emergjente të respektohet shteti i së drejtës dhe kërkojmë:
Heqjen e menjëhershme të bllokadës dhe rikthimin e aksesit të plotë të gazetarëve në vendin e punës;
Rivendosjen e energjisë elektrike dhe kushteve të plota të punës për redaksitë;
Publikimin e menjëhershëm të bazës ligjore dhe autoritetit që ka urdhëruar këtë veprim;
Sigurimin që çdo veprim i ardhshëm që prek media të kryhet vetëm në përputhje me procesin e rregullt ligjor, nën mbikëqyrje gjyqësore dhe me parimin e ndërhyrjes minimale.
U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare, organizatave të medias dhe përfaqësive diplomatike të monitorojnë nga afër situatën dhe të reagojnë për të garantuar që Shqipëria të mbetet e përkushtuar ndaj standardeve ndërkombëtare të lirisë së shprehjes dhe të medias.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Kryetari i AGSH
Isa Myzyraj