Të paktën 13 persona, mes tyre edhe fëmijë, janë vrarë gjatë një sulmi izraelit në një fshat në Sirinë jugore, në atë që konsiderohet incidenti më vdekjeprurës i muajve të fundit. Banorët e Beit Jinn u përplasën me forcat izraelite, duke shkaktuar një shkëmbim të ashpër zjarri. Forcat izraelite kryen gjithashtu dy sulme ajrore: një mbi grupet e banorëve dhe një tjetër mbi një ndërtesë, çka solli shembjen e saj.
Ministria e Jashtme e Sirisë e dënoi sulmin, duke e cilësuar atë si një “krim lufte”.
Sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), trupat izraelite hynë në fshat, në kufi me Lartësitë e pushtuara të Golanit, për të ndaluar militantë që ata i akuzuan për “sulme të avancuara terroriste ndaj civilëve izraelitë”. Gjashtë ushtarë izraelitë u plagosën, tre prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.
IDF njoftoi më vonë se “të gjithë të dyshuarit janë kapur dhe një numër terroristësh është eliminuar”. Izraeli ndërmerr shpesh operacione në fshatrat siriane, duke deklaruar se synon të parandalojë veprimtarinë e grupeve të armatosura pranë kufirit.

