Një sfidë miqësore me ritëm të lartë dhe intensitet garash zyrtare u zhvillua sot në “Elbasan Arena”, ku AF Elbasani dhe Skënderbeu dhuruan një duel të luftuar që u mbyll me rezultatin 1-1.
Dy skuadrat, të cilat konsiderohen pretendente në kampionatet respektive, treguan qartë ambiciet e tyre që në pjesën e parë, aty ku u shënuan edhe të dy golat e takimit. Verdheblutë kaluan në avantazh falë Arsen Lleshit, i cili konkretizoi me saktësi një goditje standarde brenda zonës, duke i dhënë epërsinë ekipit të tij.

Skënderbeu reagoi më pas, duke rikthyer baraspeshën dhe duke konfirmuar se mbetet një skuadër e fortë në garën për rikthimin në elitë. Loja u karakterizua nga duele të forta në mesfushë dhe ritëm i kënaqshëm, duke e kthyer këtë miqësore në një provë serioze për të dyja ekipet.
Pas këtij testi, vëmendja tashmë zhvendoset tek kampionati. AF Elbasani do të ketë një përballje shumë të rëndësishme më 4 prill ndaj Dinamos, në kuadër të javës së 30-të të Abissnet Superiore, ku synimi mbetet ruajtja e kreut dhe vazhdimësia drejt objektivave madhorë të sezonit.

Nga ana tjetër, Skënderbeu vijon misionin për t’u rikthyer në Superiore, teksa më 4 prill do të përballet me Ilirinë për javën e 29-të të Kategorisë së Parë, në një tjetër sfidë kyçe për ecurinë e tyre.
Një barazim që vlen më shumë se rezultati, pasi konfirmon formën dhe ambicien e dy skuadrave që premtojnë shumë deri në fund të sezonit.


