NGA FATMIR POPJA
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Ami Kozeli ka dhënë sot një pasqyrë të detajuar mbi situatën e krijuar në aksin kombëtar Librazhd–Përrenjas, si pasojë e një rrëshqitjeje masive dheu që ka prekur trupin e rrugës dhe një urë në këtë segment.
Kozeli u shpreh në një konferencë për shtyp s strukturat e ARRSH kanë qenë në terren që në momentet e para të konstatuara, duke ndjekur nga afër zhvillimin e situatës dhe duke ndërmarrë masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë dhe minimizimin e ndikimit në qarkullim.

Ai theksoi se, ngjarja u konstatua të enjten, më 19 shkurt, kur u evidentua aktivizimi i një rrëshqitjeje dheu që preku infrastrukturën ekzistuese.
Menjëherë pas verifikimeve në terren u vendos kufizimi i lëvizjes në një korsi, u instalua sinjalistika e nevojshme dhe u urdhëruan sondazhe gjeologjike për përcaktimin e planit dhe thellësisë së rrëshqitjes. Paralelisht nisi monitorimi i vazhdueshëm me instrumente i terrenit dhe strukturave, si dhe u kryen shpime për evidentimin e shtresave gjeologjike.
Kozeli theksoi se, reshjet intensive të shiut në orët dhe ditët në vijim përkeqësuan situatën. Të shtunën në mëngjes u konstatua avancim i ndjeshëm i rrëshqitjes, duke shkaktuar një spostim rreth 30 centimetra të njërit krah të urës. Në këto kushte, si masë emergjente, u bllokua qarkullimi mbi urë dhe brenda natës u ndërtua një bajpas provizor për kalimin e mjeteve.
Njëkohësisht, vijoi ai, u orientuan akse alternative për qarkullimin e mjeteve të rënda dhe automjeteve. Në koordinim me ARRSH-në u përfshinë në menaxhimin e situatës Policia e Shtetit, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Hekurudha Shqiptare, Emergjencat Civile, si dhe institucionet e energjisë.

Megjithatë, shtoi Kozeli, rrëshqitja mbeti aktive dhe preku edhe rrugën provizore, duke detyruar autoritetet të shpallin bllokimin e plotë të qarkullimit për arsye sigurie. Lëvizja e masivit të dheut u përshpejtua më tej, duke qartësuar konturin e plotë të planit të rrëshqitjes.
Kozeli u shpreh se, pas takimeve intensive në terren dhe analizimit të materialeve teknike, u mblodh një këshill teknik i përbashkët mes ARRSH-së dhe Hekurudhës Shqiptare, me pjesëmarrjen e stafit akademik nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe ekspertëve të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.

Nga analiza paraprake rezulton se shkaku kryesor i situatës lidhet me reshjet intensive dhe të zgjatura në kohë, erozionin lumor dhe ngopjen (saturimin) masive të tokës, çka ka çuar në një rrëshqitje masive aktive, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e menjëhershme, deri në përfundimin e raportit gjeologjik, theksoi Kozeli.
Ai u shpreh se, këshilli teknik vendosi ndërtimin e një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës, në shtratin e lumit Shkumbin, për të mundësuar kalimin e trafikut deri në stabilizimin e plotë të zonës. Po ashtu, u vendos koordinimi i menjëhershëm me Hekurudhën Shqiptare, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore për realizimin e kësaj ndërhyrjeje.

Ndërkohë, është vendosur prishja e urës ekzistuese, tashmë jashtë funksionit, si dhe lehtësimi i ngarkesës në trupin e rrugës së rrëshqitur, deri në krijimin e skarpateve natyrore që do të mundësojnë ndërhyrjen me mjete të specializuara shpimi për stabilizimin përfundimtar të segmentit.
Kozeli tha se, në drejtim të menaxhimit të ujërave dhe mbrojtjes së infrastrukturës është vendosur sistemimi dhe disiplinimi i ujërave sipërfaqësore në të gjithë zonën përreth planit të rrëshqitjes, me qëllim uljen e presionit mbi masivin e tokës.
Gjithashtu, është vendosur devijimi i rrjedhës së lumit, i cili aktualisht godet trupin e hekurudhës, për të garantuar mbrojtjen e saj dhe për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Kozeli siguroi qytetarët se çdo vendimmarrje në këtë situatë është bazuar në ekspertizë teknike dhe në parimin themelor të sigurisë mbi çdo konsideratë tjetër.

Sipas tij, aksi Librazhd–Përrenjas është një segment me rëndësi strategjike dhe rikthimi i tij në funksion të plotë do të realizohet vetëm pasi të jetë garantuar stabiliteti afatgjatë i terrenit dhe infrastrukturës.

