Sistemi bankar i Shqipërisë qëndrueshëm dhe i gatshëm për MREL, thonë ekspertët e BSH

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë (BSH) miratoi sot Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. Ky raport, i përgatitur çdo gjashtë muaj, ka për qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve që ndikojnë në sistemin financiar dhe në infrastrukturën e tij.

Sipas BSH-së, sistemi financiar zhvilloi veprimtarinë në mënyrë të qëndrueshme, me zgjerim të aktivitetit të sektorit bankar, kryesisht përmes rritjes së depozitave dhe kapitalit, të orientuara drejt kreditimit dhe investimeve në tituj. Rreziqet e identifikuara, përfshirë ndërlidhjet mes sektorit bankar dhe segmenteve të tjera financiare, vlerësohen në nivele të kontrolluara.

Zhvillimet ekonomike ishin pozitive, të nxitura nga konsumi dhe investimet, ngushtimi i deficitit të bilancit tregtar, performanca e qëndrueshme e sektorit të turizmit, si dhe rritja e punësimit dhe pagave. Politika fiskale ruajti një prirje konsoliduese dhe mbledhja e të ardhurave ishte mbi objektivin e planifikuar. Presionet inflacioniste mbetën nën objektivin e BSH-së.

Raporti për MREL dhe stabilitetin e kapitalit

Këshilli miratoi gjithashtu raportin gjashtëmujor mbi përmbushjen e kërkesave për kapital dhe detyrime të pranuara (MREL). Niveli i ndërmjetëm i kërkuar për vitin 2025 është 20.2%, ndërsa sektori bankar e përmbushi me 22.6%. Bankat kanë rritur emetimet e detyrimeve të pakolateralizuara në formën e borxhit, duke siguruar kapacitet të plotë dhe kosto të përballueshme.

Ndryshime në rregulloren për transferta në Euro dhe SEPA

BSH miratoi gjithashtu ndryshime në rregulloren “Për përcaktimin e kërkesave për transfertat e kreditit dhe të debitimit direkt në Euro”, duke përcaktuar tarifat për transaksionet ndërkufitare SEPA sipas standardeve të BE-së (Rregullorja 2021/1230). Kjo përgatit territorin për operacionalizimin e SEPA më 7 tetor 2025, duke garantuar tarifa të barabarta me ato vendase, ulje kostosh për individët dhe bizneset, nxitje të konkurrencës dhe përdorimit të pagesave elektronike.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME