Tiranë — Në një atmosferë solemniteti, vlerësimi dhe fryme bashkimi, Federata e Paqes Universale (FPU) Shqipëri, në bashkëpunim me Federatën e Familjes dhe Këshillin Shqiptar të Paqes, organizoi në Ambasadën e Paqes në Tiranë, me rastin e festave kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit, veprimtarinë me temë “Duaj Zotin, Familjen dhe Kombin”.
Ky aktivitet mblodhi së bashku Ambasadorë për Paqe, përfaqësues institucionalë, personalitete të kulturës, intelektualë, artistë dhe dhjetëra pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare.

Programi u moderua nga Kryetari i FPU Shqipëri, z. Defrim Methasani, i cili krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe me frymë bashkëpunimi. Fjalët e rastit u mbajtën nga personalitete të njohura si z. Ali Laçej, Koordinator i Këshillit Mbarëshqiptar të Paqes; Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë; dhe znj. Manjola Vashmatiç, Presidente e Federatës së Familjes Shqipëri, e cila theksoi rolin e pazëvendësueshëm të familjes në shoqëri.
Atmosfera u gjallërua nga performancat artistike të Remzie & Nexhat Osmanit, të cilët sollën emocione dhe traditë, si edhe nga artisti i ri Lekë Pecnikaj, ndërsa performanca e Arias së vogël u shndërrua në momentin më të ndjeshëm të mbrëmjes.
Një prej pjesëve më të rëndësishme të aktivitetit ishte prezantimi i Iniciativës për Paqe në Ballkan nga z. Gani Rroshi, Sekretar i Përgjithshëm i FPU Shqipëri, i cili theksoi domosdoshmërinë e projekteve të përbashkëta dhe dialogut mes popujve të rajonit.

Nderimi i madh për sipërmarrësen nga diaspora: Nexhmije Hoxha emërohet “Ambasadore për Paqen”
Federata e Paqes Universale dhe Federata e Familjes për Paqen Botërore kanë shtuar në radhët e tyre personalitete të artit, kulturës, muzikës, gazetarisë dhe nga diaspora shqiptare. Një ndër ta është edhe Nexhmije Hoxha, sipërmarrëse shqiptare e diasporës në Kanada, me origjinë nga Xhyra e Librazhdit. Federata e Paqes Universale e ka në traditë që titullin “Ambasadore për Paqen” t’ua akordojë personaliteteve shembullore në mbarë globin.
Mes duartrokitjeve të fuqishme, momenti kulmor i ceremonisë ishte akordimi i titullit “Ambasadore për Paqen” për personalitete që kanë kontribuuar në promovimin të harmonisë, respektit dhe bashkimit. Ndër ta, një prej vlerësimeve më të spikatura iu dha sipërmarrëses librazhdase të diasporës shqiptare në Kanada, znj. Nexhmije Hoxha, e cila kishte udhëtuar posaçërisht nga Montreali për të marrë pjesë në këtë event të rëndësishëm.

E emocionuar, znj. Hoxha u shpreh:
“Kam nderin që t’i shpreh mirënjohjen time më të thellë Ambasadës së Paqes në Tiranë, drejtuesve të Federatës së Paqes Universale Shqipëri, kryetarit z. Defrim Met’hasani, z. Gani Rroshi, si edhe të gjithë ambasadorëve të paqes kudo që ndodhen! Kam ardhur me shumë dashuri e përkushtim nga Montreali i Kanadasë, sepse misioni për të promovuar paqen është vlerë që më shoqëron në çdo hap të jetës sime.”
Në fjalën e saj, ajo ndau mesazhe të thella reflektimi:
“Paqja fillon brenda nesh, në fjalën që zgjedhim, në veprimin që bëjmë dhe në mënyrën si i shohim të tjerët. Ajo nuk është thjesht mungesë konfliktesh, por prania e mirëkuptimit, respektit dhe dashurisë. Le të ndërtojmë ura, jo mure. Le të japim dritë edhe aty ku duket errësirë.”
Ajo falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, duke nënvizuar se ky titull për të përfaqëson një mision edhe më të madh për të shpërndarë paqe, mirësi dhe bashkim mes shqiptarëve kudo që ndodhen.

Fatmir Popja dorëzon titullin: “Zonja Hoxha është shembull frymëzimi për çdo shqiptar të diasporës”
Në emër të Federatës së Paqes Universale Shqipëri, titulli “Ambasadore për Paqen” znj. Hoxha iu dorëzua nga Kryetari i Këshillit Rajonal të Paqes për Qarkun e Elbasanit, gazetari i njohur Fatmir Popja, i cili në fjalën e tij tha:
“Sonte kam privilegjin dhe nderin e veçantë të dorëzoj titullin ‘Ambasadore për Paqe’ një zonje që na nderon të gjithëve me punën, karakterin dhe përkushtimin e saj. Zonja Hoxha është shembull i shqiptares që, edhe pse larg atdheut, e mban Shqipërinë në zemër, në punë dhe në vepra.”
Ai shtoi se ky titull jo vetëm vlerëson kontributet e saj të deritanishme, por edhe i beson një rol më të rëndësishëm në promovimin e vlerave humane dhe bashkimit mes shqiptarëve në mbarë botën.

Një mbrëmje e mbushur me frymëzim dhe mesazhe shprese
Ceremonia u mbyll me urime të përzemërta dhe emocione të forta nga pjesëmarrësit, të cilët vlerësuan lart rolin e sipërmarrëses Hoxha si model të diasporës shqiptare që punon, arrin suksese dhe mbetet e lidhur ngushtë me rrënjët e saj.
Ky vlerësim shënon një gur të rëndësishëm kilometrik në veprimtarinë e znj. Hoxha dhe përbën një mesazh të fuqishëm për të gjithë shqiptarët:
Paqja ndërtohet nga njerëz që besojnë, veprojnë dhe japin dritë kudo që ndodhen.




