Si e mbrojti nga zjarri Dervish Xhelal Resuli Teqenë historike të Shëmbërdhenjit në Gramsh

Reportazh

Nga KUJTIM BORIÇI & FATMIR POPJA

Katastrofa nga zjarret që përfshinë këto ditë Gramshin mund të kishte marrë me vete edhe një nga objektet më të shenjta dhe historike të kësaj treve, Teqenë e Shëmbërdhenjit.

Por akti heroik i Dervish Xhelal Resulit dhe atyre pak besimtarëve që ndodheshin pranë, shpëtoi objektin nga shkatërrimi i plotë. Flakët ishin të papërmbajtshme.

Megjithatë, falë sakrificës, trimërisë dhe vendosmërisë së tyre, teqeja dhe mjediset ndihmëse u mbrojtën. Edhe pse me plagë e mundime, ata ia dolën ta sfidojnë zjarrin, duke shpëtuar pjesën më të madhe të ndërtesës dhe sipërfaqes pyjore përreth, vreshtat dhe pemtarinë.

“Mora njoftimin për zjarrin që po i afrohej teqesë. Bisedova menjëherë me vëllain tim, Dervish Xhelalin dhe organizuam një ekip nga Selia e Shenjtë në Tiranë për të shkuar në ndihmë. Objektet e shenjta i mbron Zoti, por vullneti i Dervish Xhelalit dhe punonjësve më ngrohu dhe i bekova. Ishin dhjetëra vatra zjarri në Gramsh njëherazi… Dhe ia dolën!” dëshmoi Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.

Drejt Shëmbërdhenjit

U bëra pjesë e ekipit të nisur nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane për në Shëmbërdhenj. Shoferi Muharrem Pajtani, i njohur me terrenin, këtë herë udhëtonte më shpejt se kurrë, me një automjet të mbushur me ushqime dhe pajisje emergjence. “Çdo sekondë është e vlefshme. Me bekimin dhe kujdesin e Kryegjyshit Dede Edmondit, po përpiqemi të ndihmojmë vëllezërit tanë. Shpresoj që dervishi dhe të tjerët të kenë arritur ta përballojnë vetë flakën. Por komunikimi është i vështirë, në atë zonë nuk ka sinjal të rregullt”, na shpjegon Nuri Çuni, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, një nga organizatorët e ndihmës.

Gjatë rrugës, ndonëse kishin kaluar disa orë nga përhapja e flakëve, tymi dhe zjarret e vogla vijonin të përhapeshin anash. Majtas rrugës, pamja ishte apokaliptike: shtëllunga tymi, flakë, pemë të djegura, kafshë të ngordhura. Afër Skënderbegasit, disa shtëpi ishin rrafshuar dhe të tjera ende digjeshin.

Në mes të këtij rrënimi, takuam një burrë të moshuar, që na kërkoi ndihmë për të arritur në fshatin e tij. Quhej Rehmet, ndoshta Mehmet nuk e kuptuam saktë.“Dy kasollet dhe vreshti janë bërë hi. Flakët po afrohen te shtëpia. Kam një jetë që kam punuar për ato. Zoti më ndihmoftë. Jam 80 vjeç dhe s’kam parë kurrë një zjarr të tillë. Por fajin e kemi vetë, ne njerëzit,” na tha ai, i mbytur nga trishtimi.

Në Teqenë e Shëmbërdhenjit

Kur mbërritëm, pamja ishte rrëqethëse. Pisha të shekullit të djegura, tym i dendur, flakë që ende përpinin shkurre. Kafshë të shkrumbuara, ajër i rëndë nga tymi. Por mbi të gjitha, objektet e shenjta qëndronin ende në këmbë.

Dervish Xhelali na pret me fytyrë të lodhur, por krenar

“Flakët vinin nga katër anë. Nuk shpëtuam gjithçka, por ruajtëm thelbin objektin kryesor, arkivën, mjediset ndihmëse. Magazinat janë djegur, llamarinat janë shkrirë, vreshti është përvëluar… Por Zoti na ndihmoi. Na ndihmoi edhe bekimi i Kryegjyshit, Dede Mondit. Ai na dha kurajë”, tregon Dervish Xhelali, me emocion.

Ai nuk ishte vetëm në këtë sfidë. Punonjësit Renardo Osmanllari, Esma dhe Ruzhdije Zhupani qenë krah tij gjatë orëve të zjarrta. “Dervishi ishte i papërkulur. Nuk pyeste për veten, për veshjen, as për rrezikun. Na jepte forcë. Vetëm na thoshte: ‘Do ja dalim’ dhe ja dolëm,” tregon Renardo.

“Kam kohë që punoj këtu, por asnjëherë nuk kam parë diçka të tillë. I lutem Zotit dhe Ai na ndihmoi. Atij i qofshim falë,” thotë Esma Zhupani.

Pasojat e zjarrit

Pyetur për dëmet, Dervish Xhelali thekson: “Ka dëme, por jemi gjallë. Teqeja nuk u prek në thelb. Trashëgimia, arkiva, historia… u ruajtën. Mbi të gjitha, nuk kemi humbje në njerëz.”

Por paralajmëron

“Kjo duhet të jetë mësim. Është lehtë të kërkosh kompensim, por para së gjithash, duhet të marrim masa. Të mos përtacojmë, të jemi vigjilentë. Sepse Zoti na ndihmon, po edhe ne duhet të ndihmojmë vetveten”.

Ende nuk ka një bilanc të plotë të dëmeve, por raportohet se vetëm në zonën e Gramshit janë shkrumbuar mbi 40 shtëpi, pa llogaritur dëmet në pemëtari, vreshta dhe pyje.

Një fatkeqësi që do të ketë pasoja për breza. “Mora njoftim të menjëhershëm për afrimin e zjarrit në objekt, bisedova me vëllain tim, Dervish Xhelalin dhe njëherazi nisa një ekip nga Selia e Shenjtë në Tiranë për në ndihmë. Objektet e shenjta i mbron Zoti, por vendosmëria e tyre më shtoi besimin. Ishin dhjetëra vatra njëherazi… dhe ia dolën!”

Teqeja e Shëmbërdhejit Gramsh

Teqeja e Shëmbërdhenjit u themelua më 23 tetor 1850, në fshatin Bletëz (ish-Shëmbërdhenj), në Njësinë Administrative Skënderbegas, Gramsh.

Roli i klerikëve bektashianë ka qenë i shumëfishtë: përveç misionit fetar, ata kanë ndihmuar në hapjen e shkollave shqipe dhe përhapjen e gjuhës shqipe.

Teqeja u themelua nga Baba Mustafa Braçi dhe u shndërrua në një qendër besimi, kulture dhe patriotizmi.

Pas tij, Baba Meleqi shërbeu për 27 vite dhe ndërtoi çezmën karakteristike me ujë të ftohtë nga mali i Koshnicës.

Çdo vit, më 6 gusht, zhvillohet pelegrinazhi tradicional për të përkujtuar themelimin e këtij tempulli shpirtëror.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

San Siro i ri, detaje të reja: 52 metra i lartë dhe çati që ul zhurmën…

E ardhmja e futbollit të Milanit varet nga një...

Iu vendosi ultimatum, Fatmir Mediu nxjerr “zbuluar” Sali Berishën: Më tha shko në protestën e UÇK

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka folur në...

Rekordi i çmendur i gjyqtarit Turpin: 101 penallti të akorduara në Ligue 1!

Clément Turpin, gjyqtari i ndeshjes midis PSG dhe Strasbourg,...