Shqiptare “Liri për çlirimtarët”, mijëra qytetarë mesazhe mbështetjeje nga protesta e Tiranës

Protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë nisi pasditen e sotme në sheshin “Skënderbej në Tiranë” me himnin kombëtar.

Mijëra qytetarë nga trojet shqipfolëse, nga diaspora nderuan sakrificat e ushtarëve dhe krerëve të UÇK-së, lufta e të cilëve solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Qytetarët me veshjen e UÇK-së, me bluza “Unë jam UÇK” dhe me simbole kombëtare mbushën plot sheshin ndërsa para tyre folën veteran dhe përfaqësues të tjerë.

“UÇK” “Liri për çlirimtarët” ishin disa nga thirrjet që ushtuan në shesh përballë bustit të heroit kombëtar Skënderbeut.

I pranishëm në protestën “Liria ka emër” në sheshin “Skënderbej” në Tiranë është edhe Endrit Thaçi, djali i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Me flamujt kuqezi, flamuj të UÇK-së, këngë patriotike dhe bluza të stampuara “Liria ka emër”, qytetarët shprehen mjaft entuziastë për këtë protestë të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Në protestë janë të pranishëm deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndërkohë që deputetët e PD-së deklaruan më herët se nuk do të jenë pjesë.

I pranishëm është edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ai i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.

Ndërsa bëjnë thirrje për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, protestuesit hodhën akuza ndaj Gjykatës Speciale se po i mban në paraburgim drejtuesit e UÇK-së me dëshmi të falsifikuara.

Në podiumin e ngritur në shesh folën disa nga organizatorët, kreu i shoqatës së veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, ish-prefekti i Tiranës Ruzhdi Keçi ndërsa u kënduan këngë patriotike, Arif Vladi, Llesh Nikolla, Shkurte Fejza.

Ruzhdi Keçi ish-prefekt i Tiranës tha se Tirana ka qenë zemra e kombit që ka nderuar luftën e drejtë.

“Tirana në vite ka qenë djep i mikpritjes dhe i bashkimit kombëtar. Ky qytet i ka hapur zemrën çdo shqiptari që ka ardhur nga çdo trevë, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Nga kjo tokë dolën bijtë që ju bashkuan UÇK-së që morën pushkën dhe u bashkuan në vijën e parë të frontit, për të luftuar për lirinë e Kosovës dhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Mes tyre është edhe Skerdilajd Llagami, biri i Tiranës që luftoi me nder në radhët e UÇK-së dhe në Maqedoni. Sot nuk mund të mos ngremë zërin për katër luftëtarët tanë që mbahen padrejtësisht në burgun e Hagës. Ata nuk janë kriminelë, por simbole të lirisë”, tha Keçi.

Kreu i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti tha se nga protesta në mbështetje të krerëve të UÇK-së, po ngrihet zëri për drejtësi dhe respekt për njohjen e luftës së drejtë, për pavarësinë dhe miqësinë me Amerikën dhe Evropën.

“Zanafilla e gjykatës speciale është nga disa raportime trilluese ruso-serbe për trafikime organesh që bëri bujë. Çështje inekzistente që doli nga kuzhina serbe, e hetoi edhe tribunali i Hagës dhe konstatoi që nuk është e vërtetë dhe mbylli hetimin. Dick Marty e riaktualizoi mediakisht me porosi ruso-serbe dhe inicioi miratimin e raportin në Komisionit Evropian që detyroi themelimin e gjykatës që hetoi trafikimin e trilluar të organeve. Kjo ndodhi për të nxirë imazhin e luftës dhe prokuroria nxitoi që të përpilojë një aktakuzë tjetër ditën kur në Washtingon në prezencën e Presidentit Trump do nënshkruhej marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Ahmeti.

“Sot të gjithë jemi dëshmitarë se aktakuza është një riciklim i akuzave të mëparshme ndaj Hashimit dhe të tjerëve. Ata po gjykohen si çlirimtarë që kanë kapur pushkën për të mbrojtur pragun e shtëpisë nga gjenocidi serb. Liria e Kosovës nuk është arenë e një fushe pjellore për ndasi ndërshqiptare. Ne duhet të bëhemi bashkë siç u bashkuam për Kosovën republikë, për Shqipërinë në NATO për të drejtat e shqiptarëve në luginë e Mal të Zi”, tha ai.

Azgan Haklaj, i cili është edhe moderatori i protestës së UÇK, bëri të ditur se “protesta jonë nuk mbaron këtu”.

“Do të vazhdojmë protestën në të gjitha trojet etnike, në Shkup e në diasporë”, u shpreh ai, ndërsa theksoi se do të përcjellim mesazhin tone për gjithë botën.
Në kuadër të kësaj proteste do të shfaqet edhe një film në sallën e Kishës Ortodoke, ku do të paraqiten dëshmi tronditëse të akteve mizore të ushtrisë gjakatare të Sllobodan Millosheviçi.

Këngë polifonike nga Labëria në mbështetje të UÇK, si dhe këngë patriotike u interpretuan po ashtu nga podiumi i vendosur në sheshin “Skënderbej”.

Protesta e sotme u organizua në Tiranë nga veteranët e UÇK-së, dhe është protesta e tretë që po organizohet gjatë këtij viti në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Prej 3 prillit të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Trump optimist para takimit me Putin në Hungari: Mendoj se mund ta bind që t’i japë fund luftës

Presidenti Donald Trump priti homologun e tij ukrainas, Volodymyr...

Nuk besoj se ka shqiptarë që nuk proteston e nuk do të protestonte për UÇK!

Nga  Alban Daci Madje, as nuk ka nevojë për të...

Takimi Trump-Zelensky, presidenti ukrainas mbërrin në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Shtëpinë e...