Është përmbyllur me sukses Kampionati Botëror i Shahut për të Rinjtë – FIDE World Youth Chess Championship U14, U16 & U18 – 2025, i zhvilluar në qytetin bregdetar të Durrësit, nga data 3-16 tetor.
Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, ndau momente nga ky aktivitet madhor, duke theksuar rëndësinë që ky kampionat ka për vendin tonë.
“Shqipëria u bë shtëpia botërore e shahut për të rinjtë,” u shpreh Rama.
“Në këtë kampionat morën pjesë 730 shahistë nga rreth 90 federata ndërkombëtare, me një numër total prej 1300 pjesëmarrësish, të cilët sollën në vendin tonë frymën e garës, talentit dhe miqësisë”, shkroi kryeministri Rama.
Ky organizim i suksesshëm e vendos Shqipërinë në hartën e ngjarjeve të rëndësishme sportive ndërkombëtare dhe promovon më tej imazhin e saj si një destinacion i denjë për evente të kësaj përmase.