Shqipëria me një nga delegacionet më të mëdha në historinë e Lojërave Mesdhetare, Gonxhja: Forca Team Albania!

TARANTO – ITALI , 22 gusht 2026/Albania Express News/-Shqipëria është gati të nisë aventurën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, me një përfaqësim të konsiderueshëm sportiv në këtë aktivitet ndërkombëtar.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndodhet në Taranto së bashku me delegacionin shqiptar, në prag të nisjes së garave. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai thekson se Shqipëria merr pjesë me një nga delegacionet më të mëdha të sportistëve shqiptarë në historinë e pjesëmarrjes në Lojërat Mesdhetare. 

Sipas të dhënave të publikuara, Shqipëria përfaqësohet në “Taranto 2026” me 71 sportistë në 17 disiplina, duke synuar rezultate sa më të larta dhe një paraqitje dinjitoze në arenën ndërkombëtare. 

Një nga veçantitë e këtij edicioni është edhe mënyra e akomodimit të sportistëve. Delegacionet janë vendosur në kroçerën gjigante “AROYA”, e cila është shndërruar në një “fshat” modern lundrues për pjesëmarrësit e Lojërave. Anija, 335 metra e gjatë dhe me 19 kate, ka kapacitet për mijëra persona dhe është ankoruar në Taranto për të shërbyer si një nga strukturat kryesore të akomodimit gjatë aktivitetit. 

Gonxhja ka përcjellë një mesazh urimi për sportistët shqiptarë, duke i inkurajuar të përfaqësojnë me krenari ngjyrat kuqezi dhe të synojnë medaljet.

“Ju urojmë shumë suksese sportistëve tanë, paraqitje sa më dinjitoze dhe sa më shumë rezultate të larta e medalje!”, shprehet ministri, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit dhe krenarisë kombëtare.

Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” janë edicioni i 20-të i këtij aktiviteti dhe mbledhin sportistë nga vendet e rajonit mesdhetar. Për Shqipërinë, pjesëmarrja në Itali vjen si një tjetër mundësi për sportistët kuqezi që të matin forcat në nivele të larta ndërkombëtare. 

Në prag të garave, mesazhi i ministrit është i qartë: “Me krenari, përkushtim dhe zemrën kuqezi, përfaqësoni Shqipërinë dhe ngrini lart flamurin tonë kombëtar! Forca #TEAMALBANIA!”

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME