Në një nga majat më mbresëlënëse të Alpeve Shqiptare, në zemër të Nikaj-Mërturit të Tropojës, është vendosur për herë të parë në vendin tonë një statujë monumentale e Krishtit me krahët e hapur, që të kujton figurën e famshme të “Krishtit Shpëtimtar” në Rio de Janeiro.
Kjo vepër e veçantë është realizuar nga banori i zonës, Sokol Ndue Progni, dhe është ngritur në majën e njohur si Salcë, duke u kthyer menjëherë në një simbol të ri shpirtëror dhe turistik për rajonin.
Ceremonia e inaugurimit mblodhi përfaqësues të kishës, banorë të malësisë dhe të ftuar nga Shqipëria, Kosova e Diaspora. Pamjet e shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale dhe mediat lokale kanë tërhequr vëmendje për ngjashmërinë e statujës me monumentin brazilian, edhe pse në përmasa më të vogla.
Banorët e Tropojës e kanë pritur me emocion dhe krenari këtë vepër, duke e parë si një shenjë të fortë besimi dhe identiteti kulturor për malësinë.

