Nga Fatmir Popja
Ulqin
Mbrëmjen e 29 korrikut 2025, skena e Panairit të Librit në Ulqin u shndërrua në një tempull të nderimit për fjalën e shkruar, ku u zhvillua ceremonia solemne e ndarjes së çmimeve të edicionit të 24-t të këtij manifestimi letrar, një nga më jetëgjatët dhe më të rëndësishmit në gjithë trevat shqiptare.
Në prani të shkrimtarëve, studiuesve dhe dashamirësve të librit nga hapësira mbarëshqiptare e më gjerë, drejtoresha ekzekutive e Panairit, zj. Irena Toçi, dhe kryetari i jurisë, studiuesi Liridon Mulaj, përshëndetën të pranishmit dhe ndanë me ta vizionin dhe përgjegjësinë që sjell përzgjedhja e veprave më përfaqësuese të vitit.
Ceremonia nisi me ndarjen e Mirënjohjeve për personalitete të spikatura të letrave dhe kulturës, ku u vlerësuan, Pashko R. Camaj, shkrimtar dhe nënkryetar i Shoqatës “Vatra” në SHBA, për kontributin e tij në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në diasporë,Andrej Nikolaidis, shkrimtar i njohur malazez, për afërsinë dhe urat që krijon mes kulturave, Shkëlzen Zalli, poet i nderuar pas vdekjes për trashëgiminë e tij letrare të paharruar.
Në vazhdim, u ndanë çmimet kryesore të këtij edicioni. Çmimi “Dega e Ullirit”, i cili nderon letërsinë për fëmijë, iu dha dy autoreve të spikatura, Meliza Krasniqi, për librin “Nexhmije Pagarusha, unë jam bilbili i Kosovës”, një homazh i ndjerë për ikonën e muzikës shqiptare, Elia Zaharia, për librin “Perla dhe dreri i artë”, një përrallë bashkëkohore që frymëzon imagjinatën dhe ndjeshmërinë e fëmijëve. Çmimi “Servantes” për përkthim iu dha Durim Taçit për mjeshtërinë me të cilën solli në shqip romanin klasik “Portokall me kurdisje” nga Anthony Burgess, një vepër sfiduese e letërsisë moderne.
Çmimi “Olcinium” për veprën më të mirë studimore shkoi për Behar Gjokën dhe veprën e tij “Petro Marko, shkrimtari i lirisë”, një studim i thellë për një nga figurat më të ndritura të letërsisë shqiptare të shekullit XX. Çmimi “Liburnia” për veprën më të mirë në prozë u akordua për akademikun dhe shkrimtarin Mehmet Kraja, për vëllimin me tregime “Histori të ëndrrave të hershme”, një gërshetim magjepsës i realitetit dhe metafizikës së kujtesës.
Ceremonia u përshëndet edhe nga zyrtarë të lartë dhe përfaqësues diplomatikë. Nënkryetari i Komunës së Ulqinit, z. Petar Delic dhe ambasadorja e Shqipërisë në Mal të Zi, znj. Zhaklina Peto, theksuan rolin jetik të librit në ndërtimin e urave kulturore dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar dhe rajonal. Para ndarjes së çmimeve u zhvillua një takim letrar i veçantë kushtuar poetes së njohur malazeze Dragana Erjavsek, nën moderimin e gazetarit Ismet Kallaba, duke sjellë një moment reflektimi dhe dialogu mes kulturave.
Panairi i 24-t i Librit “Ulqini 2025”,organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit, Tiranë dhe Komuna e Ulqinit, me mbështetjen e Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave të Malit të Zi dhe Organizatës Turistike të Ulqinit, dëshmoi sërish se fjala e shkruar mbetet një nga themelet më të forta të identitetit dhe bashkëjetesës në Ballkan.
Me vizion, përkushtim dhe nivel të lartë artistik, ky edicion vulosi edhe një herë rëndësinë e Ulqinit si një qendër të gjallë të kulturës, ku libri jo vetëm lexohet, por nderohet.