Shkarkimi i Vlora Hysenit, nis mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare e thirrur nga Presidenti Begaj

TIRANË, 28 shtator 2026 /Albania Express News/- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka mbledhur këtë mëngjes Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Pallatin e Brigadave, në një takim të thirrur pas zhvillimeve të fundit në Shërbimin Informativ të Shtetit.

Mbledhja ka nisur në orën 08:30 dhe zhvillohet në një moment kur ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Në fokus të diskutimeve pritet të jenë çështje që lidhen me sigurinë kombëtare, mbrojtjen dhe administrimin e informacionit të klasifikuar, si dhe zhvillimet e fundit në SHISH.

Një tjetër çështje që pritet të trajtohet është drejtimi i institucionit pas largimit të Hysenit. Sipas të dhënave të bëra publike, detyrën e drejtuesit të komanduar të SHISH do ta ushtrojë Elvis Lila.

Në mbledhje pritet të marrin pjesë Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, Ministri i Brendshëm Ervin Demo, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, si dhe drejtues të institucioneve kryesore të sigurisë, përfshirë SHISH-in, Policinë e Shtetit dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare është organ këshillimor i Presidentit të Republikës për çështjet që lidhen me sigurinë kombëtare. Në varësi të rendit të ditës, Presidenti mund të ftojë në mbledhje edhe drejtues apo përfaqësues të institucioneve të tjera.

Mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ishte zhvilluar në qershor 2023, me fokus “Gjendjen e sigurisë kibernetike dhe masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në Republikën e Shqipërisë”.

Ndërkohë, gjatë presidencës së Ilir Metës, në një prej mbledhjeve të Këshillit ishte ftuar edhe kryetari i atëhershëm i opozitës, Lulzim Basha, i cili iu përgjigj pozitivisht ftesës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME